Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë të martën. Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar se aksidenti ua ka marrë jetën shtetasve Pajtim Bajrami, Asllan Musliu e Istref Zekaj.
Në aksident ka vdekur edhe një person tjetër, ndërsa i pesti është lënduar rëndë. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur, ndërsa familjarë të viktimave kanë thënë se të katër të vdekurit janë kosovarë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNgjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund të Vjenës. Në kantierin e ndërtimit u shemb një pjesë e konstruksionit. Sipas mediave austriake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Siç ka shkruar “Krone Zeitung”, gjatë punimeve të betonimit në kuadër të ndërtimit në kulmin e një ndërtese, konstruksioni u shemb papritur dhe e gjithë skela së bashku me konstruksionin ranë, pikërisht në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin në skelë.
“Punëtorët e ndërtimit, që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar, kanë rënë bashkë me skelën”, ka thënë zëdhënësi i zjarrfikësve Martin Hofbauer.
Mbi 100 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës luftuan nëpër një fushë rrënojash të rrezikshme. Pjesë të paqëndrueshme, pluhuri dhe betoni e vështirësuan shumë shpëtimin. Në disa raste, ndihmësit u detyruan të gërmonin me duar për të arritur tek të mbuluarit.
Një 45-vjeçar u nxor pas rreth 90 minutash me lëndime të rënda. Ai pësoi dëmtime në kokë, thyerje në krahë dhe dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Ai u dërgua në dhomën e urgjencës së një spitali. Për të tjerët, megjithatë, çdo ndihmë erdhi shumë vonë. Katër punëtorët vdiqën në vendin e aksidentit, ka konfirmuar Policia e Vjenës.
Shoferi i vinçit u bë dëshmitar i pavullnetshëm i aksidentit. Ai duhej të qëndronte në kabinën e tij dhe të ndiqte ngjarjet nga lart. Deri në mbrëmje ai u mor në pyetje nga policia.
Ambasada e Kosovës në Vjenë ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave. E kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve dhe ka thënë se institucionet janë në koordinim për t’u dalë në ndihmë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar se humbja e tre shtetasve të Kosovës në Austri është tragjedi e rëndë.
Ka shkruar se humbja e tyre ka lënë dhimbje të thellë jo vetëm te familjarët por te të gjithë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë. Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne. Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn”, ka shkruar ajo.