Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Tre nga 4 të vdekurit në kantier ndërtimi në Vjenë konfirmohen shtetas të Kosovës

Vendi ku ndodhi rasti tragjik në Vjenë

Vendi ku ndodhi rasti tragjik në Vjenë

Autoritetet shtetërore kanë konfirmuar se tre nga katër personat që kanë vdekur të martën në aksidentin gjatë punimeve në një kantier ndërtimi në Vjenë janë shtetas të Kosovës, të cilët kanë jetuar në Austri. Pas këtij rasti, përfaqësues të shtetit u kanë shprehur ngushëllime familjarëve. E në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës kanë theksuar se janë në kontakt me autoritetet austriake për ta lehtësuar kthimin e trupave të të vdekurve në Kosovë

Shembja e një pjese të konstruksionit në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë ua ka marrë jetën tre shtetasve të Kosovës.

Në këtë aksident kanë vdekur Pajtim Bajrami (36 vjeç), Asllan Musliu (49) dhe Istref Zekaj (46), të cilët kanë qenë duke jetuar në Vjenë. Krahas tyre, në këtë aksident ka vdekur edhe një person tjetër, ndërsa ka marrë lëndime edhe një tjetër, shtetësia e të cilëve nuk është bërë e ditur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lidhur me ngjarjen, në Ambasadën e Kosovës në Vjenë kanë thënë se janë vënë në kontakt me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave. 

“Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja. Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave”, kanë thënë në Ambasadën në Vjenë.

Edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD) kanë njoftuar se janë në kontakt me autoritetet austriake për t’ua lehtësuar familjeve procedurat për kthimin e trupave në Kosovë.
“Bazuar në konfirmimet zyrtare dhe në informacionet e siguruara përmes kontakteve me familjarët, deri në këto momente është konfirmuar se nga viktimat e identifikuara janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj me prejardhje nga Republika e Kosovës. Që nga marrja e informacionit, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të tyre në Kosovë”, kanë bërë të ditur në MPJD.

Pas ngjarjes të së martës, udhëheqës shtetërorë në Kosovë u kanë shprehur ngushëllime familjeve. 
Në Presidencë kanë vlerësuar se tragjedia ka shkaktuar dhimbje jo veç për familjarët e viktimave, por për të gjithë vendin. 

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë. Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne. Në këto momente të vështira ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka theksuar se Qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën në Vjenë për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme. 

“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka shkruar ai.

Ngushëllime familjeve të viktimave u ka shprehur edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Humbja e jetëve të bashkëkombësve tanë në vendin e punës është një dhimbje që na prek të gjithëve. Në këto çaste të vështira shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e tyre. Ndajmë dhimbjen me ta dhe qëndrojmë pranë tyre në këtë humbje të madhe”, ka shkruar ajo në Facebook.

Edhe përfaqësues të partive politike dhe udhëheqës të komunave nga të cilat kanë prejardhjen viktimat kanë shprehur ngushëllime për familjarët.

Ngjarja e së martës, sipas raportimit të mediave në Austri, ka ndodhur kur gjatë punimeve në betonimin e kulmit të një objekti është shembur një pjesë e konstruksionit, bashkë me skelet në të cilat kanë qenë duke punuar pesë punëtorë.