Arbëri

Si shkoi dëmi afër 3 milionë euro në rastin e rezervave shtetërore

Gjykatat

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në aktakuzën e ngritur ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarit Irfan Lipovica, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në këtë Ministri, Hafiz Gara dhe afaristit Ridvan Muharremi, ka vlerësuar se dëmi që iu shkaktua buxhetit të Kosovës në rastin e “Rezervave shtetërore” është afër 3 milionë euro.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.

Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro.

Mirëpo, aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.

Ata ngarkohen se në kuadër të mjeteve buxhetore të ndara nga Qeveria në shumën prej 10.000.000 euro, iu shmangën procedurës së hapur të prokurimit me rastin e procedurës së mallrave të rezervës shtetërore më 2022, konkretisht grurit, vajit dhe sheqerit.

Pas lidhjes së kontratës me operatorin turk më 15 mars 2022 më pas, thuhet se u nënshkrua aneks/kontrata me të njëjtin operator më 29 mars 2022 për shpenzimet e transportit të grurit në sasinë e përcaktuar në kontratën bazë nga Turqia në Portin e Durrësit në shumën 295.000 euro.

Ndërsa, sipas aktakuzës, me kompaninë OE “Xanto” SP. ZO.O” me seli në Gdyna- Poloni u lidh kontrata për blerjen e vajit në sasi 200.000 litra dhe sheqerit në sasi 120.000 kg me çmim të përgjithshëm 276.000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, edhe përkundër se pagesa e kontraktuar u bë në kundërshtim me Ligjin për buxhetin më 2022, 100% me avanc nga MINT, kompania turke nuk e përmbushi obligimin sa i përket grurit, duke sjellë 58.98 tonë grurë më pak sesa ishte përcaktuar në kontratë, kurse kompania polake nuk i ka sjellë fare produktet e vajit dhe sheqerit sipas kontratës, duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe buxhetit të shtetit.

Sipas aktakuzës, Gara në koordinim me Lipovicën dhe Hajdarin me qëllim të kufizimit të konkurrencës dhe favorizimit të operatorëve ekonomikë dhe fshehjes së shkeljeve ligjore në këtë aktivitet, përmes e-mailit nën arsyetimin për përshpejtim të procedurave të furnizimit me mallra të Departamentit të Rezervave Shtetërore, ka kërkuar nga Lipovica që t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim me produktet e rezervës shtetërore, e që bashkë me Hajdarin iu drejtuan me e-mail Qeverisë më 25 shkurt 2022 dhe se kërkesa u miratua të nesërmen nga Qeveria, e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Rezervat Shtetërore, duke u klasifikuar blerja e produkteve të rezervës si sekrete, përkundër se aktiviteti i prokurimit duhej të bëhej detyrimisht përmes procedurave të hapura dhe nuk konsiderohet sekret shtetëror sipas Ligjit.

Çmimi i kontraktuar me kompaninë turke për 1 ton grurë, sipas aktakuzës, kishte qenë 483.48 euro, ndërsa çmimi mesatar i tregut bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës në import në muajin e njëjtë  - mars 2022 - kishte qenë 290 euro.

“Referuar diferencës në mes të çmimit të kontraktuar të grurit prej 483.48 euro për ton dhe çmimit mesatar të tregut për muajin mars që ishte 290 euro për ton, rezulton se çmimi për një ton grurë është kontraktuar për 193.48 euro më shumë sesa çmimi mesatar i tregut në Kosovë, e që diferenca në çmim në raport me 10 mijë tonë grurë është 1,934,800.00 euro, që konsiderohet dëm i shkaktuar në këtë pikë”, thuhet në aktakuzë.

Mirëpo, më tej thuhet se megjithëse kontrata parashihte 10 mijë tonë grurë dhe u pagua avanci 100%, kompania dyshohet se ka sjellë 58.98 tonë grurë më pak. Rrjedhimisht, duke i shkaktuar dëm buxhetit 28,515.65 euro.

Kurse, Hajdari thuhet se pa publikim të shpalljes publike, më 15 mars 2022, edhe përkundër faktit se ishte paralajmëruar nga drejtori i Departamentit Ligjor se blerja e rezervave me procedurë të negociuar nuk kishte bazë ligjore, nënshkroi kontratën me kompaninë turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kontrata me kompaninë turke për blerjen e grurit e nënshkruar më 15 mars 2022 në vlerë prej 4 milionë e 834 mijë e 778 euro, ishte bërë bazuar në kushte tregtare Delivered Duty Paid (DDP) që nënkupton se çmimi i kontratës përveç blerjes së produktit mbulon të gjitha shpenzimet e transportit nga depoja deri tek destinacioni final, duke përfshirë sigurimin e mallrave gjatë transportit, ngarkim- shkarkimin e mallrave, doganës dhe shpenzimet e tjera administrative.

Mirëpo, kjo rezulton se nuk kishte ndodhur, sipas PSRK-së.

Hajdari akuzohet se veproi në kundërshtim me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Prokurim Publik, duke shmangur qëllimshëm kushtet esenciale të sigurimit të ekzekutimit të kontratave dhe në kundërshtim me Ligjin për buxhet u bënë pagesat në avanc 100% përderisa MINT pranoi nga kompania turke 59.98 tonë grurë më pak në raport me sasinë e kontraktuar dhe paguar, nga kompania polake nuk pranoi fare sasinë e vajit dhe sheqerit. Me këto veprime, u favorizuan dy OE dhe iu mundësua përfitim material dhe shmangie nga përgjegjësia, njëkohësisht iu shkaktua dëm i madh buxhetit të shtetit.

Nëntë ditë pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit, aktakuza thotë se MINT kishte nënshkruar aneks-kontratë me kompaninë turke për shpenzimet e transportit në vlerë prej 295 mijë euro, e përkundër se kontrata bazë përfshinte edhe shpenzimet e transportit.

Më pas, thuhet se Lipovica në koordinim me Hajdarin e Garën kishte lidhur një kontratë me kompani tjetër OE “Railtrans” L.L.C më 15 prill 2022 për shërbimet e transportit dhe shpedicionit nga Durrësi deri në depon e rezervave në Kosovë, në vlerë prej 377,419.13 euro.

“Referuar faktit se përtej rregullave të Kontratës bazë, për transportin e grurit janë lidhur 2 (dy) kontrata, fillimisht një Aneks-kontratë në vlerë 295,000 euro dhe më pas një kontratë tjetër në vlerë 377,419.13 euro, si në përshkrimet faktike të aktakuzës, rrjedh se në këtë pikë është shkaktuar dëm në lartësi prej 672,419.13 euro”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga PSRK.

Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.

“Referuar faktit se me rastin e lidhjes së kontratës për blerjen e vajit dhe sheqerit si në përshkrimet faktike të aktakuzës, në njërën anë është bërë pagesa në avanc 100% në shumën prej 276,400 euro, ndërsa në anën tjetër malli nuk është dorëzuar asnjëherë në Kosovë, nga ku rrjedh se në këtë pikë është shkaktuar dëm në lartësi 276,400.00 euro”, thuhet në aktakuzë.

Pagesat ndaj kompanive ishin bërë 100 për qind avancë, sipas Prokurorisë Speciale, përkundër se kjo bëhet vetëm në rastet kur mallrat kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë, pra pajisje për nevoja ushtarake.

Me këto veprime, të njëjtit ngarkohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në shumën e përgjithshme 2 milionë e 912 mijë e 134 euro e 13 centë.

Për të gjitha këto veprime, ministrja Rozeta Hajdari, zëvendëssekretari Irfan Lipovica dhe drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore, Hafiz Gara, po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2, lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, pasi sipas aktakuzës, pjesë të procesit të negocimit ngarkohen ta kenë bërë dhe afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”.

Gara ngarkohet se ia komunikoi sekretin shtetëror Muharremit, duke ia dërguar në e-mail programin për furnizim me mallra të rezervës shtetërore të vitit 2022, në të cilin ishin përshkruar detajet e llojit të produktit, sasia dhe vlera monetare si pjesë e Planit Strategjik Vjetor të mallrave të rezervës shtetërore, duke rrezikuar interesin publik dhe furnizimin strategjik të vendit me rezerva shtetërore.

Me këtë, Gara akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par.1 të Kodit Penal.

Kurse, bashkë me Hajdarin e Lipovicën, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Muharremi fillimisht përmes WhatsApp në grupin ku bënin pjesë edhe tre të pandehurit tjerë i njoftoi se kishte siguruar një OE për deponim të grurit, duke ua dërguar të dhënat.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Për Hajdarin, Lipovicën e Garën është propozuar edhe dënim plotësues - kompensimi i dëmit të buxhetit të shtetit.

Në anën tjetër, afaristi Muharremi po akuzohet nga PSRK për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

 

Lexo përditësimet tjera
Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari

Aktakuzë ndaj ministres Hajdari dhe tre të tjerëve, dyshohen se dëmtuan buxhetin afro 3 mln euro

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,...