Një prej katër të akuzuarve në këtë rast është ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tash deputete. Vendimi është marrë nga Themelorja në Prishtinë, pasi në seancën e mëhershme, që është zhvilluar e mbyllur për publikun, të akuzuarit nuk janë deklaruar lidhur me fajësinë
Shkalla e parë gjyqësore e ka konfirmuar aktakuzën në rastin e njohur si “Rezerva shtetërore”, në të cilin ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me dy zyrtarë të kësaj ministrie, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë rast, krahas Hajdarit dhe zyrtarëve të Ministrisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, i akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale është edhe afaristi Ridvan Muharremi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKonfirmimi i aktakuzës nga Gjykata Themelore në Prishtinë është bërë pas seancës së 13 janarit, në të cilën parashihej deklarimi i të akuzuarve e që zhvillua me dyer të mbyllura, në emër të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar dhe të mbrojtjes së dëshmitarëve. Në seancën e mbyllur, të akuzuarit nuk janë deklaruar, ndërkaq avokatë të tyre janë udhëzuar nga Gjykata që t’i kundërshtojnë provat dhe ta kërkojnë hedhjen poshtë të aktakuzës.
“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Bazuar në aktakuzë, Hajdari, Lipovica e Gara dyshohet se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur me qëllim detyrat zyrtare gjatë muajve shkurt e mars të 2022-tës, me qëllim që t’u krijojnë fitim pasuror personave të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit dëm prej rreth 3 milionë eurove. E i akuzuari i katërt, Muharremi, akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës.
Në aktakuzë theksohet se buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth 3 milionë euro si pasojë e veprimeve të të akuzuarve me sasi të vajit, miellit e sheqerit, me të cilat nuk është furnizuar rezerva shtetërore.
Bazuar në aktin akuzues, Ligji për Rezervat shtetërore parasheh furnizim me procedurë të hapur, porse të akuzuarit e bënë këtë me procedurë të mbyllur.
Lidhur me këtë rast, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audioincizimeve, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Atëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, - që është ftuar nga Prokuroria si dëshmitar për këtë rast, por deri më tani nuk ka shkuar për të dhënë dëshmi - i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.