Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

As gjashtë muaj pas shkeljes së afatit, s’ka çmime në art dhe kulturë

Ministria e Kultures

Me konkursin e sivjetmë, Ministria e Kulturës ka nisur së aplikuari aktin e ri nënligjor, Rregulloren për çmimet vjetore të artit dhe kulturës. Asnjë çmim s’ka emër të veçantë siç ka qenë deri më tash

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shkelur edhe vendimin e vet tok me afatin e përcaktuar për ndarjen e çmimeve në fushën e artit dhe të kulturës, “të reformuara” sivjet. “Ceremonia organizohet më datë 10 qershor në një ambient me qasje për publikun...”, shkruhet në Rregulloren e MKT-së dhe një datë si kjo mbetet vetëm në letër përderisa ka hyrë në nëntor. Përveç kësaj, as për 13 ditë nuk është përgjigjur në pyetjet se përse është tejkaluar afati për ndarjen e çmimeve, deri ku ka shkuar procesi dhe kush janë anëtarët e jurive si dhe kur pritet të përfundojë procesi

Ministria e Kulturës është kurthuar në reformat që i ka bërë vetë. S’po ia del të përfundojë asnjë punë për afatet që i ka përcaktuar. Çmimet në fushën e artit dhe kulturës do të duhej të ndaheshin qysh në pjesën e parë të qershorit. Por as në fillim të nëntorit nuk ka një afat se kur do të bëhet ndarja e çmimeve me të cilat përkrahet krijimtaria artistike në vend. Ministria e Kulturës dhe Turizmit po ashtu është katandisur sa i përket komunikimit me mediat dhe publikun. Për shumë çështje nuk jep informacione. 

“Ceremonia organizohet më datë 10 qershor në një ambient me qasje për publikun, ku ftohen për pjesëmarrje përfaqësuesit e lartë të institucioneve, personalitete të kulturës dhe institucioneve relevante, organizata kulturore, personalitete që bëjnë nominimet dhe publiku i gjerë”, përcakton pika e dytë e nenit 19 të Rregullores për Çmimet vjetore të artit dhe kulturës e miratuar më 2025, kur sqarohet se kur ndahen çmimet. Rregullorja kishte hyrë në fuqi nëpërmjet miratimit nga ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. 

Tashmë janë bërë pesë muaj që nuk respektohet afati i paraparë me Rregullore. Ministria e Kulturës dhe Turizmit s’ka asnjë sqarim për këtë vonesë. As për 13 ditë nuk është përgjigjur në pyetjet se përse është tejkaluar afati për ndarjen e çmimeve, deri ku ka shkuar procesi dhe kush janë anëtarët e jurive si dhe kur pritet të përfundojë procesi.

E njëjta rregullore si akt nënligjor po ashtu përcakton se Këshilli Kombëtar i Arteve i propozon ministrit të Kulturës emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse. Anëtarët e këtij organi janë emëruar në korrik të këtij viti. 

Shkelja e afateve del të jetë e pakuptimtë për shumë akterë të skenës së pavarur kulturore, të cilët edhe mund të bëjnë nominime për fushat ku kanë veprimtari.

“E kuptoj kur shtyrja ndodh një herë ose dy, ose 20 herë, por kjo çështje është bërë problem kronik i MKT-së. Ata, thjesht, janë gjithmonë 10 hapa mbrapa nevojave, kërkesave e synimeve të krijuesve e operatorëve kulturorë në Kosovë. Dhe kjo gjë është bërë e lodhshme, e padurueshme”, kishte thënë në qershor dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me Qendrën “Multimedia”. Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe tash. 

Kurse Besa Luzha, e cila është drejtoreshë menaxhuese e “Chopin Piano Fest”, në qershor kishte thënë se sigurisht që afatet duhet të respektohen nga të gjithë.

“E kuptoj që mund të ketë ndikuar cikli i zgjedhjeve të shumta dhe vonesat në administrimin e buxhetit e të tjera. Por shpresoj që shumë shpejt ato do të përfundohen, mundësisht brenda muajit qershor”, kishte thënë ajo.

Sivjet MKT-ja afatin për nominime fillimisht e kishte deri më 12 prill. Më pas ky afat është shtyrë deri më 21 prill. Kurse më vonë është shtyrë prapë.

E prej sivjet, asnjë çmim s’ka emër të veçantë, përderisa disa prej tyre janë rikonceptuar edhe sa u përket kategorive, duke mos pasur më vend të dytë e të tretë, por vetëm një çmim. Kurse sa i përket vlerës monetare, ajo është rritur për të gjitha çmimet.

Me konkursin e sivjetmë për çmimet vjetore në fushën e artit e kulturës, Ministria e Kulturës ka nisur së aplikuari aktin e ri nënligjor, Rregulloren për çmimet vjetore të artit dhe kulturës. Çmimi për dramë origjinale shqipe më s’do ta ketë emrin e aktores Katarina Josipi, ai për vepër jetësore në kinematografi s’do ta ketë emrin e Bekim Fehmiut, ai për letërsi atë të Azem Shkrelit, e ai për muzikë atë të Niketë Dardanit. Asnjë çmim vjetor për letërsi s’do ta ketë emrin që ka bartur deri vjet: për prozë “Anton Pashku”, për poezi “Ali Podrimja”, për letërsi për fëmijë “Vehbi Kikaj”, për kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” dhe për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”.

Rregullorja e re, e miratuar vjet përcakton nëntë kategori çmimesh: çmimet në fushën e letërsisë, ato në fushën e arteve skenike, në fushën e kinematografisë, në fushën e muzikës, të artit pamor, në fushën e vallëzimit, në fushën e arkitekturës, çmimi vjetor për përfaqësim ndërkombëtar dhe ai për krijuesit dhe performuesit e rinj.

Te letërsia, nënkategoritë e çmimit nuk janë prekur në përmbajtje. E te çmimet e dramës ka ndryshuar “loja”. Pos traditës së emrit, s’do të ketë më vend të parë, të dytë e të tretë. Do të ketë veç një çmim dhe ai hyn në kategorinë e çmimeve në fushën e arteve skenike. Çmimi vjetor për dramën origjinale shqipe mban këtë titull. Në këtë kategori hyjnë edhe Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, ai për regjinë më të mirë, për aktrimin më të mirë dhe ai për kreativitet teatror. Për shfaqjen me sukses më të madh ndërkombëtar, s’ka më çmim të veçantë.

Te çmimet për kinematografi, pos largimit të emrit te Çmimi kombëtar për arritje jetësore që e mbante emrin “Bekim Fehmiu”, është shtuar edhe nënkategoria e Çmimit vjetor për kreativitet kinematografik.
Te çmimet e muzikës mungon vetëm emri “Niketë Dardani”, kurse te çmimet në artet pamore, pos heqjes së emrit të Muslim Mulliqit, janë shtuar edhe nënkategoritë për Çmimin vjetor për fotografi, ai për dizajn dhe multimedia dhe Çmimi vjetor për ekspozitën më të mirë, që i ndahet artistit dhe kuratorit.

Kategori më vete tash janë çmimet në fushën e vallëzimit. Në këtë kategori do të ketë Çmim kombëtar për arritje jetësore në fushën e vallëzimit dhe më pas Çmim vjetor për koreografinë më të mirë të valleve folklorike, Çmim vjetor për koreografinë më të mirë të vallëzimit bashkëkohor dhe Çmim vjetor për valltarin ose valltaren, apo balerinin ose balerinën më të mirë.

Sivjet risi është edhe Çmimi kombëtar për arritje jetësore në fushën e arkitekturës.

Çmimi vjetor për përfaqësim ndërkombëtar tash është kategori më vete dhe laureatët mund të jenë individët, grupet, institucionet ose formacionet që kanë arritur sukses të shquar në paraqitjet ndërkombëtare brenda vitit të fundit kalendarik. Sipas Rregullores së re, ky çmim nderon laureatët e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare apo arritjeve të jashtëzakonshme të shënuara në skenën ndërkombëtare të artit, të cilat kanë kontribuuar në promovimin e kulturës dhe artit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sivjet po ashtu risi është edhe Çmimi vjetor për krijuesit dhe performuesit e rinj, me të cilin vlerësohen individët ose grupet artistike në fillimet e karrierës së tyre që kanë shfaqur aftësi të jashtëzakonshme dhe arritje të dukshme në fushën e artit që i përkasin, duke premtuar potencial serioz për zhvillim artistik në të ardhmen.

Nominimet për të gjitha kategoritë e çmimeve mund të bëhen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, institucionet qendrore të kulturës, institucionet lokale të kulturës, institucionet akademike dhe shkencore, asociacionet profesionale të artit dhe kulturës, organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet që veprojnë në kuadër të skenës së pavarur kulturore, individë nga skena e pavarur e kulturës dhe vetë krijuesit dhe performuesit.

Sa i përket vlerës monetare, ajo është dyfishuar. Për çmimin kombëtar për arritje jetësore shpërblimi është 10 mijë euro, kurse për çmimin vjetor, 5 mijë euro. E Ministria e Kulturës dhe Turizmit në këtë fundvit s’i ka mirë hesapet me buxhet. Ka kërkuar nga institucionet që të ulin shpenzimet me të madhe dhe të mos i llogarisin premtimet për rritje të buxhetit. Kurse përkrahja për skenën e pavarur kulturore nëpërmjet thirrjeve të këtij viti, s’e arrin milionëshin.