Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbyllet për publikun seanca për rezervat shtetërore

Mbyllet për publikun seanca për rezervat shtetërore

Foto: Driton Paçarada

Përditësim 10:15 - Është mbyllur për publikun seanca fillestare në rastin e “rezervave shtetërore” ku akuzohen ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.

Gjyqtari Avni Syla e ka mbyllur për publikun seancën në emër të ruajtjes së informacionit të klasifikuar. Ai u ka tërhequr vërejtjen të gjithëve që nëse gjatë gjykimit zbulojnë informacion konfidencial në publik do të mbahen përgjegjës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai tha se do të nxjerrë aktvendim të veçantë lidhur me këtë çështje.


Avokatët kërkojnë deklasifikimin e dosjes së rezervave shtetërore

Përditësim 10:05 - Ka nisur seanca shqyrtimit fillestar në rastin e skandalit me rezervën shtetërore. Avokatët kundërshtojnë vazhdimin e seancës duke argumentuar se dokumentet janë të klasifikuara dhe se ata si avokatë nuk kanë të drejtë të kenë qasje në to.

Në seancën e shqyrtimit fillestar gjyqtari Avni Syla i pyeti palët se a duan të vazhdojnë me seanca të hapura apo të mbyllura.

Ata kundërshtuan vazhdimin e shqyrtimit fillestar me arsyetimin se nuk i kanë marrë dosjen e prokurorisë.

Avokati Fehim Alaj që mbron të akuzuarin Irfan Lipovica tha se ka marrë përgjigje nga Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe se nuk mund të ketë qasje në dokumente të klasifikuara që janë në dosje. Ai tha se e gjithë dosja është e klasifikuar.

“E tërë dosja është e klasifikume, nuk kemi të bëjmë me fjalë apo me fjali. Ne si juristë duhet të kemi kujdes kur kemi informata të pranuara nga AMIK për të cilin ligji për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, neni 2 i këtij ligji sqaron se ky ligj zbatohet nga të gjitha institucionet publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative, gjyqësore dhe për personat juridik dhe fizikë... Gjykatës i propozoj që ta obligojë prokurorinë speciale që ta iniciojë procedurën për deklasifikim të dosjes së rezervës shtetërore e më pas të vendoset se a do të mbahen të hapura apo të mbyllura seancat”, ka deklaruar ai.

Avokati i ministres Rozeta Hajdari, Florent Larifaj, tha se avokatët e vendosin veten në rrezik para përgjegjësisë penale nëse marrin dokumentet e klasifikuara. Ai tha se ato nuk bën as t'i prekin e as t'i shohin.

Avokati Mahmut Halimi, që e mbron Ridvan Mauhrremin, tha se nuk kanë pranuar t'i marrin shkresat e lëndës për shkak të ekzistimit shumë të bazuar se mund të përfundojë para përgjegjësisë penale për shkelje të fshehtësisë zyrtare.


Hajdari dhe të tjerët dalin para gjykatës lidhur me rastin e “Rezervave shtetërore”

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuar të tjerë janë paraqitur të martën para gjykatës lidhur me rastin për “Rezervat shtetërore”.

Seanca do të fillojë nga ora 09:30.

Shqyrtimi fillestar ishte caktuar njëherë për 10 dhjetor, por pati dështuar pasi Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë, për çka është arsyetuar se nuk ka marrë thirrje nga gjykata.

Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.

Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.

Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore.

Hajdari për “rezervat shtetërore”: Ndihem e pafajshme, është proces tendencioz

1 muaj më parë / 13 jan 2026 13:49
Rozeta Hajdari

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, që akuzohet për çështjen e rezervave shtetërore, ka thënë se ndihet tërësisht e pafajshme. Ajo e ka cilësuar procesin ndaj saj si tendencioz.

“Ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ka iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, ka thënë ajo pas seancës fillestare.

Ajo madje insiston se kanë vepruar drejtë me çështjen e rezervave shtetërore, por shkelje thotë se po bënë Prokuroria Speciale. 

“Më e rëndësishmja që dua të theksoj është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore që e kemi rritur në Qeverinë Kurti 2, për shumëfish në kohën më të vështirë kur ishte rezerva shtetërore e pa konsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksporte të produkteve bazike në vendin tonë. Pra, produkteve bazike, jetike për jetesën e qytetarëve tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam dhe konsoliduam rezervën shtetërore. Sa është e rëndësishme të përmendi se për këtë proces që është tejet e rëndësishme për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit tonë, megjithatë prokuroria shkeli ligjin, siç e kam theksuar dhe më herët përkundër që ne kemi pasë dhe jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këta operatorë. Tërësisht Prokuroria Speciale nuk po përfill ligjin, dhe po vazhdon pa përfillur procedurat e ligjit për rezervat shtetërore dhe informacionit të klasifikuar”, ka shtuar ajo.

Më tej ka insistuar se do ta dëshmojnë se veprimet e ndërmarra ndaj saj janë të paligjshme.

Mahmut Halimi, avokati i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Ridvan Muharremi, ka thënë se gjatë procedurës ka ndodhur “një situatë e paprecedent në praktikën gjyqësore në Kosovës”.

Ai ka deklaruar se gjykata i ka detyruar mbrojtësit që të paraqesin kundërshtimet ndaj aktakuzës pa i pasur në dispozicion shkresat e lëndës, duke e cilësuar këtë si një rast “non sens”.

“Sot ndodhi diçka që kurrë në praktikën gjyqësore është e panjohur në gjyqet e Kosovës, na detyroi gjykata që të ushtrojmë kundërshtim kundër aktakuzës pa shkresa të lëndës, është rast non sens. Sa i përket çështjeve të tjera, ju kisha lutur për mirëkuptim. Nuk kemi qysh deklarohemi pa i pasur shkresat e lëndës. Qysh me u deklaru për fajësinë kur nuk ka shkresa të lëndës”, ka thënë ai.