Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës ka rishpallur tenderin për furnizim me pajisje dentare dhe laboratorike, me vlerë rreth 2 milionë euro.
Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas dy ankesave nga operatorët ekonomikë, pati marrë vendim që dosja e tenderit të ndryshohej, për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Nga Zyra e Prokurimit e QKSUK-së, për KOHËN kanë deklaruar se urdhri i OSHP-së është zbatuar plotësisht.
Megjithatë, dosja e rishpallur e këtij tenderi nuk përputhet plotësisht me kërkesat e OSHP-së. Një nga kërkesat e OSHP-së ishte që tenderi të ndahej në lote të veçanta, sipas kategorive të pajisjeve. Edhe pas rishpalljes, ky vendim nuk është zbatuar nga autoriteti kontraktues.
Në tenderin e parë, QKSUK-ja pati shkurtuar afatin e aplikimit nga 45 ditë në 15 ditë, për çka OSHP-ja ka konstatuar se ky veprim është në kundërshtim me nenet 44 dhe 46 të Ligjit për Prokurimin Publik, pasi nuk ka asnjë urgjencë të arsyetuar dhe pajisjet ekzistuese ishin ende funksionale.
Edhe në dosjen e re, afati ka mbetur i shkurtuar, ndërsa arsyetimi i QKSUK-së për këtë shkurtim nuk është ndryshuar.
Po ashtu nuk është bërë ndryshimi që ekspertët e OSHP-së kanë kërkuar – që pajisjet të jenë nga i njëjti prodhues.
Por ndonëse nuk kishte vërejtje nga ekspertet, në dosjen e re të tenderit është ndryshuar kriteri i kapacitetit financiar të operatorëve ekonomikë.
Në dosjen paraprake, operatorët duhej të ofronin dëshmi për qarkullimin bankar të tre vjetëve të fundit, të shoqëruara me raporte bankare në vlerë dyfish më të madhe se vlera e tenderit. Në dosjen e re qarkullimi bankar për tre vjetët e fundit kërkohet të jetë 400 mijë euro.
Menjëherë pas shpalljes së këtij tenderi, një operator ekonomik i është drejtuar OSHP-së me një email, të cilin KOHA e ka siguruar, duke kërkuar hetim për këtë aktivitet të prokurimit.
“Veprimet e ndërmarra nga QKSUK, të qëllimshme dhe në kundërshtim me një vendim zyrtar të OSHP-së, përbëjnë gjithashtu indicie për ekzistencën e ndikimit të paligjshëm në procesin e prokurimit, në kuptim të nenit 130 të po të njëjtit ligj”, thuhet ndër të tjera në ankesën e këtij operatori ekonomik.
KOHA i është drejtuar OSHP-së me pyetje nëse shkeljet e konstatuara nga QKSUK-ja në dosjen e parë përbëjnë elemente të veprës penale. Ky institucion ka thënë se vendimet e saj mund të shqyrtohen nga gjykata kompetente, në përputhje me Ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative.
Me këtë tender parashihet furnizimi me 20 tavolina pune për teknikë dentarë, 20 karrige laboratorike, si dhe pajisje të tjera.