Arbëri

Anulohet tenderi për pajisje dentare pas ankesës për favorizim të një kompanie

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për anulimin e aktivitetit të prokurimit të shpallur nga Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës për pajisje dentare dhe laboratorike, me vlerë rreth 2 milionë euro.

Ky vendim është marrë pas dy ankesave të operatorëve ekonomikë “Boradental” dhe “DUA 5N2 sh.p.k”, të cilët në ankesat e tyre kanë pretenduar se QKSUK-ja ka shkurtuar në mënyrë të paarsyeshme afatin e dorëzimit të dokumentacionit nga 45 ditë në 15 ditë, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Pretendimi i tyre është vlerësuar i bazuar edhe nga ekspertja shqyrtuese.

“Për më tepër, duke pasur parasysh vlerën e kësaj kontrate, AK duhet të zbatojë drejt parimet e përgjithshme, konkretisht ekonomicitetin, efikasitetin dhe barazinë në trajtim. Shkelja e cilitdo prej këtyre parimeve ndikon drejtpërdrejt në kufizimin e konkurrencës, me efekt në rritjen e çmimit për AK, si dhe krijimin e diskriminimit apo favorizimit të ndonjë operatori ekonomik”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Përveç afatit kohor, operatori “Boradental” është ankuar edhe për specifikimet teknike të tenderit, për të cilat ka pretenduar se ishin të formuluara për t’i shkuar në favor një operatori të caktuar. 

Sipas kompanisë “Boradental”, QKSUK-ja nuk ka ofruar përgjigje në pyetjet e parashtruara lidhur me këto specifika. 

E ekspertët kanë konstatuar se mungesa e përgjigjeve ka të bëjë me atë se as QKSUK-ja nuk e ka ditur se ku duhet të vendosen materialet dhe instalimet që vetë i ka kërkuar në dosjen e tenderit.

“Në tabelën e specifikimeve teknike në dosjen e tenderit, AK ka kërkuar që OE të përfshijë edhe instalimin e sistemit qendror dhe lidhjeve të gypave për thithje, nga sistemi qendror deri te secili unit dentar i klinikave të QKSUK-së. Mirëpo, sipas pyetjeve të operatorëve ekonomikë, ka shumë paqartësi, dhe AK nuk ka dhënë përgjigje pasi nuk dihet se ku do të vendosen gypat...Prandaj, ekspertja shqyrtuese dhe ekspertja teknike rekomandojnë që AK të anulojë aktivitetin e prokurimit në tërësi, pasi nevojiten ndryshime të shumta dhe thelbësore në dosjen e tenderit, ndryshime që nuk mund të bëhen vetëm përmes korrigjimeve ose zgjatjes së afatit për ofertim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli shqyrtues i OSHP-së i ka kërkuar autoritetit kontraktues të bëjë përmirësimet e nevojshme në kriteret dhe specifikimet e dosjes së tenderit. 

Paneli ka vlerësuar se, pas përmirësimeve, do të mundësohet pjesëmarrje më e gjerë dhe më konkurruese e operatorëve ekonomikë në tender.

Përmes këtij tenderi parashihej furnizimi me 20 tavolina pune për teknikë dentare, skaner intraoral e sisteme të aspirimit.

Edhe në muajin tetor KOHA pati raportuar për parregullsitë në ketë tender.