Dyshime për favorizim të operatorëve ekonomikë kanë bllokuar tenderin rreth 2 milionë euro për pajisje stomatologjike në Qendrën Klinike Stomatologjike të Kosovës. Procesi, i hapur në shtator të vitit të kaluar, ka përfunduar për herë të tretë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. E sipas njohësve të prokurimit, legjislacioni në fuqi ndalon që specifikat teknike të përshtaten për një brend të caktuar
Sistemi i lavatriçes, pajisja e vulosjes dhe autoklava me kapacitet të madh janë disa nga pajisjet, për të cilat operatori ekonomik “Dua 5N2” pretendon se specifikat në tender i janë përshtatur kompanisë “Bora Dental”.
Qendra Klinike Stomatologjike e Kosovës, që nga shtatori i vitit të kaluar, ka hapur tenderin me vlerë rreth 2 milionë euro për furnizim me këto pajisje, por ky proces ende nuk ka përfunduar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë ankesën e fundit të dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nga operatori ekonomik (EO) “Dua 5N2” thuhet se specifikat teknike janë formuluar në mënyrë të tillë që përputhen drejtpërdrejt me karakteristikat e produkteve të prodhuesve të caktuar, përkatësisht Dentsply Sirona, Melag, Durr Dental, Renfert dhe Futudent, për të cilët në Kosovë distributor është kompania “Bora Dental”.
“Kërkesa që detergjenti, neutralizuesi dhe agjenti shpëlarës të rimbushen nga pjesa e përparme e pajisjes është karakteristikë tipike e sistemit MELAG. Kërkesa për një program specifik për largimin e ajrit nga tubacionet është karakteristikë tipike e sistemit MELAG. Program i dedikuar për rigjenerimin e njësisë së brendshme të zbutjes së ujit është karakteristikë tipike e sistemit MELAG”, thuhet në ankesën e “DUA 5N2” deponuar në OSHP.
Sipas këtij operatori ekonomik, këto janë specifika që e kufizojnë konkurrencën, pasi, sipas tyre, asnjë prodhues tjetër nuk mund të ofertojë në këto kushte.
Një nga kërkesat më karakteristike nga QKSUK-ja, sipas “Dua 5N2”, lidhet me pajisjen e vulosjes, ku kërkohet që koha e ngrohjes të mos kalojë 92 sekonda.
Sipas tyre, vetëm prodhuesi Melag e ka këtë specifikë ndërsa pajisjet e tjera në treg kanë kohë ngrohjeje më të gjatë, zakonisht nga 2 deri në 5 minuta.
Kësisoj, ky tender, për herë të tret, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Në rastet e mëparshme, ankues ishte kompania “Bora Dental”, e cila pretendonte se specifikat ishin përshtatur për prodhuesit Cavo dhe Cattani, distributor i të cilëve në Kosovë është kompania “Intelab”.
Pas këtyre ankesave, paneli i OSHP-së pati vendosur që QKSUK-ja të ndryshojë dosjen e tenderit, me qëllim zgjerimin e konkurrencës.
KOHA ka pyetur kompaninë “Intelab” nëse, pas ndryshimeve, ka marrë pjesë në këtë tender, por nga ajo kanë refuzuar të përgjigjen, duke u arsyetuar se politikat e brendshme të kompanisë nuk i lejojnë të komentojnë.
Njohësi i prokurimit, Ardit Dragusha, hulumtues në Democracy Plus, thotë se ligji për prokurimin publik ndalon përshtatjen e specifikave për një brend të caktuar.
“Specifika të caktuara që e drejtojnë ofertimin te një operator ekonomik nuk duhet të ndodhin; ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mundësojnë pjesëmarrjen sa më të gjerë. Favorizimi i një operatori është i ndaluar. Vetëm në raste të rralla, kur kjo shoqërohet me termin ‘ekuivalente’, pra kur ekziston diçka e barasvlefshme me ato specifika teknike, në situata të caktuara i lejohet autoritetit kontraktues të përdorë një specifikë të tillë. Megjithatë, në parim, kjo është e ndaluar me legjislacionin e prokurimit publik dhe me një sërë vendimesh të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik”, ka thënë Dragusha.
Akuzat e operatorëve ekonomik i ka hedhur poshtë zyra e prokurimit në QKUK.
“Sa u përket pretendimeve të operatorit ekonomik ankues se specifikat teknike janë përshtatur për një prodhues në Kosovë, theksojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.
KOHA pati raportuar për këtë tender që në hapje të tij, kur ishin evidentuar parregullsi dhe zyrtarit të prokurimit i ishte shqiptuar edhe vërejtje nga OSHP-ja për “përshtatje të specifikave” për një operator.
Sipas Zyrës së Prokurimit, ky tender konsiderohet i domosdoshëm, pasi pajisjet në përdorim janë të vjetruara.