Tenderi rreth 2 milionë euro për pajisje dentare në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës është kthyer në ritenderim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Përveç anulimit të procedurës, paneli ka shqiptuar edhe vërejtje zyrtare ndaj zyrtarit të prokurimit, duke konstatuar moszbatim të vendimit paraprak për ndryshimin e dosjes së tenderit
Vërejtje zyrtare i është shqiptuar Vehbi Morinës, zyrtar i prokurimit në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, për shkak të moszbatimit të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, për ndryshimin e dosjes së tenderit për pajisje dentare.
Në vendimin e fundit, paneli e ka cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë, në kundërshtim me Rregulloren për Prokurim Publik (KRPP).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Për këtë arsye shqiptohet vërejtje zyrtare, duke paralajmëruar se përsëritja e shkeljeve të ngjashme mund të rezultojë në kërkesë për marrjen e certifikatës që konsiderohet si masë më e rëndë disiplinore, në pajtim me rregulloret dhe dispozitat ligjore që rregullojnë përgjegjësinë e personelit në prokurimin publik”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues.
Për shkak të këtij moszbatimi nga autoriteti kontraktues, OSHP-ja e ka kthyer tenderin në ritenderim, duke kërkuar ndryshim të dosjes së tenderit me vlerë afro 2 milionë euro.
Sipas Rregullores së KRPP-së, moszbatimi i vendimit të OSHP-së, hyn në kategorinë e shkeljeve të rënda, për çka bordi mund të vendosë pezullim apo edhe revokim të certifikatës së prokurimit për një periudhë të caktuar kohore.
“Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, vendimi i Bordit të KRPP-së mund të përfshijë revokim të certifikatës së prokurimit ose pezullim të saj për periudhë të caktuar kohore, por jo më shumë se një vit”, thuhet në nenin 99 të rregullores.
Zyrtari i prokurimit, Vehbi Morina, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se pas vendimit të fundit do të zbatohen të gjitha rekomandimet e OSHP-së.
“Në përgjigje të pyetjeve tuaja ju njoftojmë se autoriteti kontraktues ka zbatuar vendimet e OSHP-së nr. 2025/0981 dhe 2025/0996. Ndërkaq, pas pranimit të vendimit nr. 2025/1254, kemi njoftuar OSHP-në se do të zbatojmë në përpikëri të gjitha konstatimet dhe rekomandimet e nxjerra në këtë vendim”, ka thënë Morina.
Sipas vendimit të OSHP-së, edhe dosja paraprake e përmirësuar ka përmbajtur kufizime.
“Në dosjen e përmirësuar sipas vendimit të OSHP-së ka bërë vetëm ndryshime formale dhe selektive, duke ruajtur në thelb strukturën kufizuese të specifikave teknike dhe kritereve kualifikuese, të cilat janë identifikuar dhe konstatuar nga OSHP-ja si problematike dhe në kundërshtim me parimet e Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues.
Që nga hapja e tij, KOHA ka raportuar vazhdimisht për problemet që e kanë përcjellë këtë tender.
Me këtë tender parashihet furnizimi me 20 tavolina pune për teknikë dentarë, 20 karrige laboratorike, si dhe pajisje të tjera.