Për të kërkuar rritjen e pagave nga 270 euro në 500 euro u mblodhën të hënën përfaqësues të punëtorëve fizikë e teknikë të Qendrës Klinike Universitare, Universitetit të Prishtinës, qendrave të mjekësisë familjare dhe të disa shkollave.
Ndonëse kryejnë punë në institucione publike, këta punëtorë janë të kontraktuar nga kompani private, të cilat kanë fituar tenderë për ofrimin e shërbimeve të higjienës, mirëmbajtjes e sigurisë.
Arsim Gjinovci, përfaqësues i punëtorëve të Sigurimit Fizik në UP, paralajmëroi grevë nëse pagat e tyre nuk rriten.
“Në fillim janë dhënë shumë premtime, por deri tash ato nuk janë realizuar. Kështu që unë do propozoja që më së largu deri kah gjysma e qershorit, të futemi në grevë të gjithë bashkërisht, të mos punojmë për këto paga”, ka propozuar Gjinovci.
Feim Bislimi, që përfaqëson punëtorët teknikë të një shkolle të Prishtinës, tha se ndihen të diskriminuar karshi kolegëve të kontraktuar nga Komuna.
“Sot duhet ta kërkojmë, ani pse jem sektor privat, lëvizja e pagës le të jetë e njëjtë, ashtu si ai që punon për kompanie private, si ai që është kontraktuar nga komuna. Sot ai i merr 400 euro e ne 250 euro”, ka thënë Bislimi.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar protesta e greva nga punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
“Duke u nisur nga zvarritja e tenderit për punëtorët fizikë dhe teknikë në QKUK, e që gjatë kësaj zvarritjeje punëtorët kanë humbur mbi 400 mijë euro, që këto mjete në vend që të jenë në llogaritë e punëtorëve, po mbahen në llogarinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Kemi marrë një vendim përfundimtar që nëse pagat e majit nuk dalin me rritje, atëherë pas 10 ditësh në QKUK do të ketë protesta dhe greva”, ka bërë të ditur Azemi.
Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës gjatë muajit mars kanë mbajtur grevë e kanë protestuar për tri javë rresht për rritje të pagave, por pa sukses.