Testi i Arritshmërisë, të cilit i nënshtrohen çdo vit nxënës të klasave të nënta, është kundërshtuar nga prindërit. Ata, nëpërmjet një pyetësori, kanë iniciuar veprim që ai të largohet tërësisht, me arsyetimin se u shkakton ngarkesë nxënësve. Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se prindërit kanë të drejtë të kërkojnë menaxhim më të mirë të testit, porse jo edhe largimin e tij. E si problem ata nuk e shohin mbajtjen e testit, por mënyrën e vlerësimit në tërësi
Një pyetësor nëpërmjet të cilit kërkohet heqja e Testit të Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta ka qarkulluar në grupe komunikimi mes mësimdhënësve e prindërve.
Pyetësori, i iniciuar nga Këshilli i Prindërve në nivel vendi, u hartua me kërkesë të vetë prindërve dhe në formë kërkese iu dërgua Ministrisë së Arsimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Këshillin e Prindërve nuk pranuan të deklarohen për çështjen, pa marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit. Por ata thanë për KOHËN se kërkesa për heqjen e testit u bë si pasojë e ngarkesës së madhe të nxënësve, e të cilët, sipas tyre, testohen mjaftueshëm gjatë vitit shkollor.
E në Ministrinë e Arsimit thanë se janë duke e shqyrtuar kërkesën dhe se për çdo vendim do të ketë konsultime me institucione si edhe me prindër.
“Prindërit janë hisedarë të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit, objektiv ky i përbashkët, dhe në vendimmarrje për çështjet me interes gjithashtu të përbashkët. Kurdo që një vendim i ri të merret në lidhje me këtë çështje, do të ketë konsultim institucional dhe shoqëror, përfshirë prindërit, ekspertë të arsimit dhe hisedarë të tjerë, duke pasur gjithmonë në qendër të synimit atë që është më e mira për nxënësit dhe sistemin tonë arsimor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
E njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, vlerëson se prindërit kanë të drejtë të kërkojnë menaxhim më të mirë të testit, porse jo edhe largimin e tij.
“I përkrah prindërit me u liru fëmijët nga ajo që quhet testomani, sepse mësimdhënësit tonë e kanë kuptuar digjitalizimin e shkollave që sa më shumë me marrë pjesë në internet dhe me i ngarku nxënësit me teste, por kjo nuk i detyron prindërit që të protestojnë, nuk është mirë që të protestojnë kundër një vlerësimi të jashtëm që është i ligjshëm”, ka thënë Salihaj.
Ai tha se shqetësimi kryesor i prindërve lidhet me rezultatet e treguara në test.
“Nëse i kemi këto instrumente matëse të mira, nëse administrimin e kemi të mirë atëherë kurrë nuk do të ndodhë që një nxënës që i ka pasur krejt pesa në shkollën e mesme të ulët të barazohet me një nxënës që ka pas një mesatare 2 ose 3”, ka thënë ai.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vlerëson se problemi kryesor qëndron në mungesën e një vlerësimi të brendshëm të besueshëm nëpër shkolla të mesme të ulëta.
“Ato pesëshe të shumë nxënësve jo domosdoshmërisht janë një kriter i saktë i dijes së vërtetë të nxënësve. Kjo është ajo problematika e madhe, andaj edhe na është prezantu ky test orientues si një filtër që me u ndihmu komunave dhe shollave të mesme për ta bërë atë përzgjedhjen e duhur. E dimë që nuk është ideali, mirëpo derisa të gjejnë një format të ri të një filtrimi të duhur dhe meritokratik të nxënësve, duhet të kemi sa më shumë filtra që t’i ndihmojmë procesit”, ka thënë Qehaja.
Testi i Arritshmërisë është vlerësim që u bëhet nxënësve në përfundim të arsimimit të obligueshëm fillor dhe shërben si bazë për orientimin e tyre në shkollim të mesëm.
Rreth 24 mijë nxënës në të gjithë Kosovën i janë nënshtruar këtij testimi vitin e shkuar.
Çdo vit, përgjigjet në pyetjet e testit shpërndahen në rrjete sociale menjëherë pas nisjes së tij. Për pasojë, një numër nxënësish përjashtohen nga testimi.