Pavarësisht kërkesave të prindërve për heqjen e Testit të Arritshmërisë nga programi, Ministria e Arsimit do ta organizojë atë edhe këtë vit. Njohës të arsimit vlerësojnë se shpesh ky test kthehet në padrejtësi për dikë, e nga Këshilli i Prindërve janë të bindur se ky është viti i fundi kur nxënësit që kanë mbaruar klasën e nëntë do t’i nënshtrohen atij
Pavarësisht kërkesave të prindërve për heqjen e Testit të Arritshmërisë, ai do të mbahet më 26 qershor për nxënësit e klasave të nënta në gjithë Kosovën.
Në mars të këtij viti, Këshilli i Prindërve, pas kërkesave të shumta të prindërve i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit shqyrtimin e mundësisë për heqjen e testit nga programi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas këshillit, nxënësit tashmë i nënshtrohen një numri të madh vlerësimesh gjatë vitit shkollor dhe Testi i Arritshmërisë paraqet ngarkesë shtesë.
E një zyrtar i kësaj organizate, në kushte anonimiteti ka thënë se testi i 26 qershorit do të jetë i fundit, pa dhënë më shumë detaje.
Në një përgjigje për KOHËN, nga Ministria e Arsimit kanë thënë se këtë vit testi do të organizohet pa asnjë ndryshim, e për të ardhmen nuk kanë folur.
“Siç kemi thënë edhe në deklarimin tonë të mëparshëm për këtë çështje, ne e vlerësojmë rolin aktiv të Këshillit të Prindërve në kuadër të mandatit të tyre, dhe do të vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e cilësisë së arsimit, objektiv ky i përbashkët. Kurdo që një vendim i ri të merret në lidhje me këtë çështje do të ketë konsultim institucional dhe shoqëror, përfshirë prindërit, ekspertë të arsimit dhe hisedarë tjerë, duke pasur gjithmonë në qendër të synimit atë që është më e mira për nxënësit dhe sistemin tonë arsimor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka vlerësuar se Testi i Arritshmërisë nuk është kriter i domosdoshëm për regjistrim në shkollat e mesme të larta, por sipas tij, aktualisht nuk ekziston një mekanizëm më i besueshëm për të bërë përzgjedhjen.
“Testi i Arritshmërisë në vete nuk ka karakter certifikues, në thelb në ligjin për arsimin parauniversitar është i paracaktuar si orientues. Testi mundet me u mbajt por jo domosdoshmërishtë mundet me shërbye si kriter për pranim në shkolla të mesme të larta por meqenëse nuk ka ndonjë filtër tjetër dhe kriter më valid dhe të besueshëm për shkak se shumica e notave nga shkollimi i mesëm i ulët janë 5 - qe të fryra atëherë bëhet më e vështirë për shumë shkolla me bërë regjistrimin në shkolla të larta vetëm me suksesin e brendshëm. Për këtë arsye ende vazhdon të jetë një kriter shtesë edhe Testi i Arritshmërisë përkundër që nuk e ka atë domosdoshmërinë dhe në asnjë moment nuk është parë si i tillë”, ka thënë Qehaja.
Sipas Qehajës, problemi kryesor nuk është testi, por mënyra se si ai administrohet.
“Nuk vlerësoj që testi i arritshmërisë prezanton ndonjë ngarkesë të jashtëzakonshme administrative por prezanton një ngarkesë psikologjikë për nxënësit në presionin e regjistrimit pasi që dështimi në administrimin e testimit na kthen në situate ku një klasë atje në një qendër të testimit administrohet mirë testi i arritshmërisë, në një klasë tjetër jo. Kur kemi një shpërndarje të tillë të një rigoroziteti administrativ shumë selektiv atëherë ky testim kthehet në padrejtësi për dikë”, ka thënë ai.
Testi i Arritshmërisë është vlerësim që u bëhet nxënësve në përfundim të arsimimit të obligueshëm fillor dhe shërben si bazë për orientimin e tyre në shkollim të mesëm.
Vitin e kaluar këtij testimi i janë nënshtruar rreth 24 mijë nxënës, ndërsa sivjet pritet të jenë një mijë më pak.