Arbëri

Petritsch: Marrëveshjet në Kosovë e Bosnje ndalen dhunën, por nuk përfunduan konfliktet

Wolfgang Petrisch

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, diplomati austriak Wolfgang Petritsch ka thënë se Bosnja dhe Kosova janë ende konflikte të papërfunduara, edhe pas tri dekadash nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi.

Petritsch, që ishe edhe ndërmjetës i BE-së në Rambuje, theksoi se Marrëveshja e Daytonit, e arritur më 1995, ishte një arritje historike në ndaljen e luftës në Bosnje, por që ajo nuk kishte për qëllim dhe nuk mund të ndërtonte një shtet funksional.

“Mosfunksionaliteti i shtetit të Bosnjës ishte tashmë i integruar në marrëveshjet e paqes”, ka thënë Petritsch, duke shtuar se ndarja etnike që e karakterizon Bosnjen është një nga arsyet kryesore të bllokadës së vazhdueshme institucionale.

Nga ana tjetër, publicisti Veton Surroi ngriti pyetjen pse edhe Kosova, edhe Bosnja, ende nuk kanë arritur normalizim apo funksionalitet të plotë, pavarësisht udhëheqjes unipolare të SHBA-së në atë kohë dhe kapaciteteve politike e ushtarake që kishte Perëndimi për të zgjidhur konfliktet.

Petritsch u pajtua se ndërhyrja e fuqishme amerikane në vitet ‘90 mundësoi përparim të konsiderueshëm, por sipas tij, realiteti i pasluftës në këto vende pasqyron kufizimet e marrëveshjeve që ishin fokusuar më shumë në ndaljen e dhunës sesa në ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe institucioneve funksionale. Ai theksoi se Marrëveshja e Daytonit duhej të shihej si platformë fillestare dhe jo si zgjidhje përfundimtare për Bosnje-Hercegovinën.

Lexo përditësimet tjera
Wolfgang Petritsch në Pikë me Veton Surroin

Wolfgang Petritsch në Pikë me Veton Surroin