James W. Pardew vlerëson Konferencën e Rambouillet si momentin kur u rrit statusi ndërkombëtar i liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi. Sipas tij, ekipi i Madeleine Albright e konsideroi Thaçin më të shkathët politikisht sesa Rugovën, dhe megjithëse SHBA-ja vazhdonte të komunikonte me Rugovën, prirja ishte nga Thaçi si lider me ndikim, gjë që i rriti edhe më shumë peshën brenda komunitetit shqiptar. Por, refuzimi serb për të pranuar Marrëveshjes e Paqes në Rambouillet ishte dëshmi e qartë se lufta me Serbinë po afrohej shpejt. “Kosova kishte të gjitha tiparet e vazhdimit të gjenocidit serb në Bosnjë”, shkruan Pardew
James W. Pardew në librin “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” – Botimet KOHA, Prishtinë 2021 – shkruan se roli i Sllobodan Millosheviqit ishte vendimtar për Marrëveshjen e Daytonit, edhe pse “kjo nuk e bënte njeri të mirë apo të besueshëm, por thjesht esencial, pasi dihet se ai kishte nisur luftën”. Ndërsa, sipas autorit, Tugjmani ishte fitimtari më i madh në Dayton, jo vetëm për faktin që kroatët siguruan një zgjidhje të pranueshme për Sllavoninë Lindore, por morën edhe merita për arritjen e një zgjidhjeje paqësore. Ishte evidente se Serbia dhe Kroacia e konsideronin në interes të tyre një Bosnjë të dobët.
Marrëveshja e Daytonit dhe paqja e hidhur
Udhëheqja boshnjake e pa veten si humbësen më të madhe dhe në disa raste Izetbegoviq e përshkroi Marrëveshjen e Daytonit si një paqe të hidhur dhe të padrejtë. Edhe pse ekipi boshnjak dëshironte paqe, e cila u arrit gjatë procesit të negociatave, ajo që shteti i Bosnjës nuk arriti të fitonte ishte drejtësia e shumëpritur dhe një qeveri funksionale. Sidoqoftë, autori meritën kryesore për suksesin e bisedimeve të paqes në Dayton ia adreson ambasadorit Richard Holbrooke, të cilin e përshkruan si “si diplomat kumarxhi dhe me synime të qarta, që i vuri të gjitha në bastet se do të mund të manipulonte Millosheviqin për arritjen e paqes në Bosnjë”.
“Basti iu shpagua. Ai vazhdimisht mori përsipër rreziqe fizike dhe profesionale gjatë negociatave. Guximi i tij karshi luftës në Bosnjë binte ndesh me imazhin e zakonshëm për të si njeri i mbërthyer nga egoizmi...Manipulimi dhe teatri politik janë mjete pune. Siç i pata thënë Michael Kellyt, i cili ia kishte bërë një përshkrim gjatë bisedimeve në gazetën ‘New Yorker’, mjetet diplomatike të Hollbrookeut përfshinin sasi të konsiderueshme paraqitjeje teatrale, drame dhe manipulimi. Ai nuk mund të kishte arritur Marrëveshjen e Daytonit pa këto shkathtësi.” (fq. 134-135.)
Në këtë kontekst, ambasadori Pardew sjell edhe të dhëna interesante për raportet e tij personale me Holbrookeun, i cili kishte ushtruar ndikim të madh te Pardew, por refuzimi i tij për t’i dhënë ditarët personal nga misionet fluturuese dhe negociatat në Dayton dhe refuzimi për të pranuar kërkesën e tij që Pardew të merrte rolin e lartë të negociatorit amerikan për Kosovën në administratën Bush, kishin ndikuar në përkeqësimin e raporteve të tyre.
Por, Pardew thekson se Holbrooke vazhdoi të angazhohej në çështjet e Ballkanit edhe pas Marrëveshjes së Daytonit, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe duke ndjekur nga afër zhvillimet në ish-Jugosllavi.
Mangësitë e Marrëveshjes së Daytonit që e kanë penguar Bosnjën të bëhet një shtet funksional dhe i qëndrueshëm, lidhen me mungesën e vizionit të palëve negociuese dhe mungesën e fuqisë së qeverisë qendrore për të kapërcyer ndarjet etnike. Sipas diplomatit James Pardew, këto probleme mund të ishin zgjidhur nëse liderët boshnjakë, veçanërisht ata të Republikës Srpska, do të kishin treguar përkushtim ndaj shtetit të përbashkët dhe do të kishin investuar në ndërtimin e një Bosnje funksionale dhe të qëndrueshme.
SHBA-ja, Evropa dhe “boshnjakët myslimanë ekstremistë”
Përveç kësaj, edhe pse Daytoni i dha fund luftës në Bosnjë, njëkohësisht la hapur konfliktet etnike në rajon derisa ish-Jugosllavia po shpërbëhej. Kërcënimet e radhës në Ballkan do të shpërfaqeshin me kalimin e viteve edhe në Kosovë dhe Maqedoni, ku katër vjet më vonë SHBA-ja do të angazhohej sërish në një rund të ri negociatash të vështira, që do të parandalonin një krizë humanitare në Kosovë (mars-qershor 1999) dhe në luftë në Maqedoninë (2001).
Ambasadori James Pardew, në kujtimet e tij, përshkruan përpjekjet e tij dhe të administratës Clinton për të bindur udhëheqjen boshnjake të heqë dorë nga mbështetja për luftëtarët myslimanë të huaj, veçanërisht Gardën Revolucionare Iraniane dhe muxhahedinët, të cilët përbënin një kërcënim për stabilitetin e Bosnjës. Si rezultat i presionit amerikan, Izetbegoviq pranoi propozimin për çmobilizimin e tyre, duke u lejuar disa të qëndrojnë për arsye humanitare. Diplomati amerikan thekson se SHBA-ja e konsideronte veprim të drejtë ndihmën ushtarake për boshnjakët që të vetëmbroheshin dhe si parakusht për stabilizimin e rajonit, ndërkohë që alternativën evropiane të Programit TeP (Programi amerikan i Trajnimit dhe Pajisjeve për Bosnjën) – çarmatosje rajonale – e konsideron naive.
Sidoqoftë, ndihmës ushtarake amerikane në Bosnjë iu bashkuan Turqia dhe Republika Federale e Gjermanisë dhe disa vende të botës arabe, të cilat siguruan trajnime të ndryshme të specializuara. TeP ishte një angazhim unik nga ana e qeverisë amerikane për të armatosur dhe trajnuar ushtrinë e Bosnjës, edhe pse disa në Shtetet e Bashkuara dhe Evropa besonin se myslimanët boshnjakë ishin ekstremistë.
“Rugova ishte fytyra e rezistencës për shqiptarët”
Në pjesën tjetër të librit, Pardew flet për zhvillimet në Kosovë, nga lufta deri te pavarësia. Duke u ndalur te rrethanat e shpërthimit të luftës në Kosovës, ku autori punoi nën James Dobbind, i cili ishte këshilltar special i presidentit dhe krejt i ndryshëm nga Hollbrooke, Shaun Byrnesi, shef i Misionit Diplomatik Vëzhgues të SHBA-së në Kosovë (KDOM). Pardew është i mendimit se nga viti 1998, autonomia nuk ishte më objektiv parësor i shqiptarëve, pasi nacionalistët shqiptarë krijuan një forcë kryengritëse, UÇK-në, me synimin e pavarësisë.
“Rugova ishte lideri më pasiv politik që kisha takuar ndonjëherë. Por Rugova ishte fytyra e rezistencës për shqiptarët dhe ata ia shfaqnin një besnikëri të thellë e të sinqertë”, thotë Pardew ( fq. 193). Në këtë kuptim, autori rolin e UÇK-së dhe të Rugovës në anën tjetër e sheh si një rezistencë ndaj Serbisë në dy binarë. “UÇK-ja, e cila e bëri të qartë synimin për pavarësi, ishte një organizatë fleksibile, e decentralizuar, pa hierarki të qartë organizative” thekson Pardew (fq. 193-194). Sidoqoftë, falë aksioneve të UÇK-së, në vjeshtën e vitit 1998, Kosova ishte në krye të agjendës ndërkombëtare të sigurisë në Evropë.
Udhëheqja shqiptare e Kosovës që mbetej e përçarë më 1998
Kjo situatë megjithatë, tregon se udhëheqja shqiptare e Kosovës mbetej e përçarë më 1998, e njëjtë ishte edhe gjendja dhe me përpjekjet diplomatike amerikane për t’i dalë zot një krize që po përkeqësohej në Ballkan. Megjithatë, lidershipi amerikan dhe veçanërisht sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ishte e vendosur të mos qëndronin duarkryq dhe t’ia bënte të qartë udhëheqjes serbe në “Kosovë nuk mund ta bëjnë atë që kishin bërë në Bosnjë”. Megjithatë, politika amerikane akoma po ndiqte qëllimin që Kosovës t’i kthehej statusi i autonomisë, të cilën Millosheviqi e kishte hequr një dekadë më herët. Një nga arsye përse SHBA-ja nuk e synonte pavarësinë e Kosovës, ishte fakti se ajo nuk shpresonte që një opsion i tillë mund të bëhej pjesë e një zgjidhjeje të negociuar me Millosheviqin. Sidoqoftë, siç shkruan Pardew pas suksesit të negociatave në Dayton, evropianët përgjithësisht ishin të prirë të mbështesnin lidershipin amerikan në Kosovë, ndonëse hezitonin ta përballnin Serbinë drejtpërdrejti me forcën ushtarake. Një pikë tjetër dalluese për Kosovën e evropianëve me amerikanët ishte çështja e aksionit ushtarak të NATO-s në Kosovë, që kërkohej të vleftësohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Një moment tjetër të cilit diplomati amerikan i kushton në këtë libër është masakra e Reçakut, të cilën ai gabimisht e sheh si hakmarrje serbe për vrasjen e gjashtë tinejxherëve serbë në Pejë (rasti Panda), për të cilin edhe atëherë UÇK-së ishte distancuar, ndërsa viteve të fundit është bërë me dije se prapa një vrasjeje të tillë mund të jetë shteti serb. Në këtë pikë, ky diplomat përfaqëson narracionin zyrtar të cilin e kishte shpërndarë shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, William Walker, sipas të cilit shumica e të vdekurve ishin civilë shqiptarë “të moshuar, e djem që ishin torturuar dhe qëlluar në kokë.”
Në anën tjetër, në përpjekje për të fshehur masakrën e Reçakut, Millosheviqi po kundërshtonte hyrjen e kanadezes Louise Arbour, kryeprokure e Tribunalit të Hagës, e cila kërkonte hetime ndërkombëtare rreth ngjarjes në Reçak. Në përpjekje për të mohuar atë çfarë kishte ndodhur në Reçak, Millosheviq, sipas Pardew, pretendonte se vetë “UÇK-ja” i kishte qëlluar në kokë luftëtarët e saj pasi kishin vdekur. Këto pretendime, Pardew ia kishte rrëzuar Milloshevqit në një takim, ku i kishte treguar për provat e KVM-së rreth Reçakut dhe se Walkeri me të drejtë e përshkruante si masakër nga forcat serbe.
“SHBA-ja, Wesley Clark në NATO, OKB-ja, OSBE-ja, rusët, prokurorja Arbour – që të gjithë kanë ardhur me porosi serioze. I keni refuzuar të gjithë. Qëndrimi Juaj perceptohet konfrontues e mospërfillës dhe bashkësia ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më e bashkuar kundër jush. SHBA-ja dhe NATO-ja nuk do të sprapsen dhe mund të prisni që ato të jenë më të ashpra në të ardhmen, me më shumë kërkesa”, do të deklaronte Pardew gjatë një takimi katër orësh me liderin serb, Milosheviq, të cilit pas këtyre fjalëve e “humori i ishte ngrysur”.
Thaçi më i shkathët politikisht sesa Rugova në sytë e Albright
Një tjetër vëzhgim personal i James Pardew që gjendet në libër u referohet aspekteve publike-diplomatike të proceseve të negociatave shqiptaro-serbe në Rambouillet të Francës (shkurt-mars 1999), në të cilat, sipas tij, diplomacia amerikane ishte përqendruar mbi Grupin e Kontaktit me qellim të afrimit të pozicioneve me vendet evropiane dhe Rusinë. Por, ai thekson se kjo konferencë, ishte e bojkotuar nga Millosheviqi, pa të cilin nuk ishte e mundur të arrihej asnjë marrëveshje. Pardew vlerëson Konferencën e Rambouillet si momentin kur u rrit statusi ndërkombëtar i liderit të UÇK-së, Hashim Thaçit. Sipas tij, ekipi i Madeleine Albright e konsideroi Thaçin më të shkathët politikisht sesa Rugovën, dhe megjithëse SHBA-ja vazhdonte të komunikonte me Rugovën, prirja ishte nga Thaçi si lider me ndikim, gjë që i rriti edhe më shumë peshën brenda komunitetit shqiptar.
Por, refuzimi serb për të pranuar Marrëveshjes e Paqes në Rambouillet ishte dëshmi e qartë se lufta me Serbinë po afrohej shpejt. Ndërkohë, në Kosovë, Millosheviqi po përsëriste strategjitë e njëjta të ndëshkimit kolektiv e spastrim etnik,, të cilat i pati përdorur në Bosnjë. “Kosova kishte të gjitha tiparet e vazhdimit të gjenocidit serb në Bosnjë. Dëshmitë e tragjedisë humanitare që po shpaloseshin ishin të bollshme dhe nuk mund të kontestoheshin dot”, shkruan diplomati amerikan.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë