Arbëri

Surroi: Kosova duhet të jetë pjesë e një hapësire të përbashkët sigurie evropiane

Veton Surroi

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me diplomatin austriak Wolfgang Petritsch, publicisti Veton Surroi ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të mendohet si pjesë e një hapësire të përbashkët sigurie evropiane, që shtrihet nga Britania e Madhe deri në Ukrainë dhe Turqi.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje hipotetike të Petritschit — se çfarë do të bënte nëse do të ishte kryeministër i Kosovës në një botë me SHBA-në në tërheqje dhe me fuqi në ndryshim — Surroi theksoi nevojën për një qasje shumëpalëshe dhe strategjike.

“Administratat amerikane vijnë e shkojnë, por SHBA-ja nuk do të mund të izolohet. Do të kërkohet një ekuilibër i ri global dhe SHBA-ja do të jetë pjesë e tij,” u shpreh Surroi.

Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të marrëdhënieve me SHBA-në, por edhe të ndërtimit të një sistemi të përbashkët evropian të sigurisë, ku Kosova dhe rajoni të mos jetojnë më me frikën e konflikteve.

Surroi theksoi se “paqja duhet të shihet si përpjekje e përbashkët”, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojnë aktivisht në ndërtimin e kësaj hapësire të sigurisë.

Ai paralajmëroi se nuk ka më kohë për eksperimentime të ngadalta dhe se krizat globale, nga Putini te Trumpi, kanë dhënë sinjalin që kontinentit evropian i duhet një zgjim strategjik.

Surroi: Kosova dhe Serbia duhet ta pranojnë mendërisht se lufta ka mbaruar

Publicisti Veton Surroi ka thënë se paqja e vërtetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet pa një pranim të ndershëm dhe të thellë se luftërat kanë përfunduar.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me diplomatin austriak Ëolfgang Petritsch, Surroi u shpreh se si Kosova ashtu edhe Serbia, por edhe vendet si Bosnja, duhet të hyjnë në një fazë të re historike, ku paqja nuk shihet më si vazhdim i luftës me mjete të tjera, por si një projekt i përbashkët i marrëdhënieve normale.

“Realiteti është se pajtimi franko-gjerman ndodhi sepse të dyja vendet pranuan se luftërat kishin përfunduar. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Ballkan — një pranim se qëllimet e luftërave dhe ideologjitë që nxisin urrejtjen nuk mund të sjellin zgjidhje”, ka thënë Surroi.

Petritsch, duke kujtuar rastin e pajtimit franko-gjerman dhe shembuj të tjerë historikë si vizita e Sadatit në Izrael apo përpjekjet e Zoran Gjingjiqit, theksoi rëndësinë e veprimeve të guximshme nga liderët politikë. Ai e pyeti Surroin nëse do të ishte i gatshëm të merrte një hap të tillë, nëse do të ishte në krye të Kosovës. Surroi u përgjigj se një hap i tillë kërkon guxim dhe realizëm, por mbi të gjitha një transformim të mënyrës së të menduarit.

“Udhëheqësit tanë duhet të tregojnë se e kuptojnë këtë realitet të ri. Në pesë vitet e ardhshme, duhet të ndodhë ky ndryshim: një pranim i përbashkët se luftërat kanë marrë fund dhe nuk ka rrugë kthimi pas”, ka deklaruar ai.

Lexo përditësimet tjera
Wolfgang Petritsch në Pikë me Veton Surroin

Wolfgang Petritsch në Pikë me Veton Surroin