Kryetari i bashkisë së qytetit italian Pesaro i ka kërkuar falje familjes së Luciano Pavarottit pasi rreth shtatores së ngritur në nderim të yllit të operës u vendos një pistë patinazhi në festat e Krishtlindjes.
Nikoletta Mantovani, e veja e Pavarottit, ka thënë për mediat lokale se ishte “e zemëruar dhe e tronditur” sepse, sipas saj, kjo është “tallje” me bashkëshortin e saj, i cili vdiq në vitin 2007.
Pista e përkohshme e patinazhit u vendos në sheshin qendror të qytetit, duke bërë që shtatorja e Pavarottit të mbetej “e bllokuar” në akull.
Statuja e tij është e zhytur në akull deri në gju dhe e rrethuar me pleksiglas.
Kryetari Andrea Biancani ka thënë se nuk e kishin ndërmend të ofendonin askënd, duke pranuar se “është bërë një gabim”.
Para se pista të hapej, Biancani kishte postuar një foto të retushuar të shtatores së Pavarotit duke luajtur hokej mbi akull, së bashku me hashtagun: “Jepini një pesëshe Pavarottit”.
“Nuk prisja që qyteti të lejonte një trajtim të tillë ndaj kujtimit dhe figurës së njeriut që e bëri Italinë të famshme në mbarë botën”, ka thënë Mantovani për gazetën “Resto del Carlino”.
Ajo e akuzoi komunën për një “vendim të keq dhe absurd”.

Shtatorja prej bronzi, me madhësi natyrale, u inaugurua në prill të vitit 2024 në Pesaro.
Në atë ceremoni ishin të pranishme Mantovani dhe Alisa, vajza e saj me Pavarottin.
Çifti kalonte shpesh pushimet në Pesaro, ku tenori kishte një vilë dhe mbante statusin e qytetarit të nderit.
“Kur m’u paraqitën planet për pistën, isha i bindur se akulli nuk do të prekte shtatoren e Pavarottit dhe vetëm më vonë mësova se disenjatorët ishin detyruar ta ndryshonin strukturën”, ka thënë Biancani për “Resto del Carlino”.
Gazeta e quajti këtë rast “Pavarotti në akull”.
Kryetari i Pesaros ka shtuar se tani është e pamundur të çmontohet pista apo të zhvendoset shtatorja, por ka premtuar se “diçka e tillë nuk do të përsëritet”.
Pavarotti ishte tenor italian dhe një nga yjet më të njohura të operës në të gjitha kohërat. Ai performoi për dekada me radhë si soloartist në mbarë botën, por edhe si pjesë e treshes të famshme “Tre tenorët” – me spanjollët Plácido Domingo dhe José Carreras. Treshja performoi midis viteve 1990 dhe 2003.
I paharrueshëm mbetet interpretimi i Pavarotit i “Nessun Dorma” nga opera “Turandot” e Pucicnit, të cilën ai e këndoi në hapjen e Kampionatit Botëror të Futbollit 1990 në Itali.
Performanca e tij e fundit ishte në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Torino, në shkurt të vitit 2006. Ai vdiq në shtator 2007, në moshën 71-vjeçare, pasi më herët i ishte diagnostikuar kanceri i pankreasit.
Pavarotti la pas katër vajza nga dy martesa. Mantovani ishte gruaja e tij e dytë. Ajo u martua në vitin 2020 me këshilltarin financiar Alberto Tinareli.
Marrë nga BBC. Përktheu: KOHA