Gianni Infantino u ka kërkuar falje kritikëve më të mëdhenj, por nuk u ka dhënë atyre detaje apo dokumente mbi rastet e FIFA-s, në mbledhjen vendimtare të këshillit drejtues të enjten.
Asnjë dokument për planin e shitjes së të drejtave të Kupës së Botës për mbi 4.7 miliardë euro, ide të cilën e nisi dhe e ndërpreu në korrik. Asnjë detaj për rastin e Folarin Balogunit në Kupën e Botës dhe se si presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, intervenoi për ta ndihmuar sulmuesin e përfaqësueses amerikane.
Megjithatë, FIFA, organi drejtues i futbollit botëror, do ta rishqyrtojë nëse do të vazhdojë ta ndajë çmimin e paqes, që u krijua për t’ia dhënë Trumpit në dhjetorin e kaluar.
Nën presionin e zyrtarëve të futbollit evropian për evidenca të shkruara për planin e tij sekret për investimet private që shkaktoi pakënaqësi globale, Infantino u kërkoi atyre t’i bëjnë pyetjet me shkrim. Kështu ka bërë të ditur zëvendëspresidentja Debbie Hewit, pas takimit që zgjati tri orë e gjysmë, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press të enjten.
“Ai duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Nëse nuk përgjigjet në këto pyetje, jo, ai nuk është i duhuri për të qenë president i FIFA-s”, ka thënë Hewitt, që e udhëheq Federatën angleze të futbollit.
Konfederata evropiane e futbollit (UEFA) është duke bërë tentime që ta largojë Infantinon para apo gjatë zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s në mars, dhe të enjten nuk u dëgjua pothuajse asgjë që mund ta ndryshonte këtë qëndrim.
Edhe
FIFA ofron mbi 3 miliardë euro për zhvillimin e futbollit
“Nuk u dhanë përgjigje të kënaqshme”, ka thënë udhëheqësi i futbollit gjerman, Bernd Neuendorf, njëri prej tetë delegatëve të UEFA-s në Këshillin 37-anëtarësh të FIFA-s që kryesohet nga Infantino. Këshilli nuk ishte takuar qëkur Infantino e shkaktoi këtë krizë.
“Na duhet person me integritet, dikush që mund ta kthejë reputacionin e shoqatës, që padyshim ka humbur”, u ka thënë Neuendorf gazetarëve.
Infantino e nisi mbledhjen duke i kërkuar falje kolegëve të Këshillit për shkaktimin e situatës me planin për investitorë privatë me Joshua Kushnerin, që u bë publike në media vetëm nëntë ditë pas finales së Kupës së Botës në korrik.
“Ai e tha këtë me një lloj pendimi”, ka thënë Hewitt.
UEFA po ashtu u ka kërkuar gjykatave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të drejtën për të siguruar dëshmi për të bërë kallëzim penal ndaj Infantinos në Zvicër. Dokumentet e dorëzuara në gjykatë pretendojnë për keqmenaxhim të mundshëm të financave të FIFA-s. Lidhet me programin “FIFA Forward Enterprise” (FFE). Sipas FFE-së, një pjesë e të drejtave komerciale të shtëpisë botërore të futbollit, do t’i jepeshin një firme private investimesh.
Infantino do të garojë për tjetër mandat në krye të FIFA-s në zgjedhjet e muajit mars për herën e tretë dhe ende nuk ka ndonjë kundërkandidat që do ta sfidonte atë.
Ish-mbrojtësi i Tottenhamit dhe Zvicrës, Ramon Vega, ka thënë se synon kandidaturën. Por ai me shumë gjasë nuk do ta siguronte përkrahjen e shoqatave anëtare, dhe nuk do të llogaritej fare si kandidat serioz.
Shumë figura të njohura brenda futbollit evropian i kanë thënë BBC Sportit se duan që ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, të jetë kandidat.
Edhe
FIFA akuzon UEFA-n për “fushatë dezinformimi”
Por, ende nuk dihet nëse Wenger është i gatshëm që ta lërë postin aktual për të luftuar për një pozitë të cilën mund të mos e fitojë.
Wenger është drejtues global i FIFA-s për zhvillimin e futbollit.