Skender Perteshi nga Instituti për siguri dhe reziliencë – Prevent, derisa ka folur për sulmet në veri të vendit, ka thënë se Serbia nuk do të ndalet pa ndëshkim direkt nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Perteshi ka thënë se reagimet jo të duhura nga këta dy faktorë kanë bërë që Serbia mos të mbrapset nga tentimet e saj për të ndërmarrë sulme terroriste në Kosovë.
Ai ka shtuar se këto sulme është tentuar të ndërmerren edhe për faktin se në veri ka prezencë më të madhe të institucioneve të sigurisë.
“Edhe për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare, disi Bashkimi Evropian në çdo deklaratë publike e reagim zyrtar që e kanë dhënë, në sulmin e Banjskës kanë tentuar gjithmonë ta ulin, ta shfajësojnë Serbinë në lidhje me këtë, me qëllim që ta marrin me të mirë dhe të mos krijojnë armiq më të mëdhenj bashkë me Serbinë. Një reagim jo i duhur, jodirekt do të thosha, i BE-së dhe SHBA-së e ka bërë Serbinë të mos mbrapset nga tentimet e saj për ndërmarrjen e veprimeve terroriste dhe sabotuese ndaj institucioneve të Kosovës dhe për faktin se ka ndryshime në terren, pra në veri të Kosovës kemi prezencë më të madhe të institucioneve të sigurisë, prezencë më të vogël të grupeve kriminale që kanë vepruar për një kohë të gjatë atje”, ka thënë ai.