Fitohet përshtypja se as në NATO, e as në BE nuk janë seriozë në qasjen ndaj Banjskës dhe Serbia e ka shumë të lehtë të bëhet e shurdhër ndaj kërkesave që t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit. Për më tepër, sipas mediave në Serbi, mund të ndodhë që kryesit të jenë edhe nën mbrojtjen e organeve të shtetit të Serbisë.
Edhe një përvjetor i sulmit terrorist në Banjskë u shënua dhe asgjë nuk ka ndryshuar krahasuar me përvjetorët e mëhershëm. Kosova shënoi këtë përvjetor duke nderuar heroin Afrim Bunjaku, i cili u vra në atë sulm, duke u zotuar se do të vazhdohet insistimi për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë fajtorët për këtë sulm. Në Serbi, pjesëtarët e qeverisë përsëritën pohimet e tyre se Policia e Kosovës në këtë sulm ka vrarë katër serbë të Kosovës, pasi ata ishin zënë robër, ndërsa opozita përsëri nuk e dënoi sulmin si të tillë, por përsëriti narrativin se gjatë atij sulmi janë bërë gabime dhe se “nuk është dashur të bëhet në atë mënyrë”. Madje, edhe mediat korrekte në gjuhën serbe në Kosovë vazhduan me narrativin se “Shqiptarët dhe Serbët e shohin ndryshe incidentin në Banjskë”, duke relativizuar apo edhe heshtur faktin se edhe BE-ja këtë sulm e kishte konsideruar si terrorist dhe se si të tillë nuk e konsiderojnë vetëm “shqiptarët”. Në disa deklarata, edhe përmes përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme, edhe përmes zëdhënësit, BE-ja e kishte quajtur sulmin në Banjskë si sulm terrorist.
Ai që ishte i njëjtë ishte reagimi i BE-së dhe NATO-s. Përsëritën se ky ka qenë një sulm i cili seriozisht kishte rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Përsëritën edhe thirrjet që kryesit të nxirren para drejtësisë, ndërsa BE-ja shprehu keqardhje për faktin se Serbia nuk ka ndërmarrë akoma asnjë hap për të nxjerrë para drejtësisë ata që ndodhen në territorin e saj. Por edhe në këtë reagim të BE-së shihet tendenca që t’i ndihmohet Serbisë, sepse përmendet se sulmi ishte kryer nga “grupe të armatosura të serbëve të Kosovës”. Beogradi, që nga momenti i parë kur dolën faktet dhe dëshmitë rreth sulmit, kur e pa se nuk ka hapësirë për ta mohuar se ai ka ndodhur, nisi të flasë për “kryengritje të serbëve të Kosovës kundër terrorit të Kurtit”. Mund të ndodhë se vërtet të gjithë sulmuesit ishin serbë nga Kosova. Por përmendja e vazhdueshme e kësaj ka për qëllim të rehabilitohet Serbia dhe të pranohet arsyetimi se Beogradi zyrtar nuk ka pasur gisht në këtë sulm. Ndërkohë, tash e tre vjet nuk kemi arritur të gjejmë asnjë zyrtar as në BE, e as në NATO, i cili vërtet beson se ky sulm ka mundur të ndodhte pa rolin dhe ndihmën e Beogradit. Prandaj, fitohet përshtypja se as në NATO, e as në BE nuk janë seriozë në qasjen ndaj Banjskës dhe Serbia e ka shumë të lehtë të bëhet e shurdhër ndaj kërkesave që të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit. Për më tepër, sipas mediave në Serbi, mund të ndodhë që kryesit të jenë edhe nën mbrojtjen e organeve të shtetit.
Ndonëse në NATO dhe BE përsërisin vazhdimisht se duhet të nxirren para drejtësisë përgjegjësit kryesorë për sulmin terrorist në Banjskë, as njëra, e as tjetra organizatë nuk kanë bërë sa duhet që kjo të ndodhë. Madje, fitohet përshtypja se disa vende anëtare sikur qëllimisht duan t’i ndihmojnë Serbisë që ajo si shtet të mos ketë pasoja serioze për Banjskën. Për një kohë, me përjashtim të disa vendeve anëtare, në BE tashmë nuk po e përmendin as Banjskën ndër kushtet për Serbinë për hapjen e kapitujve negociues.
NATO-ja, nga ana tjetër, edhe përmes sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka premtuar se duhet të nxirren para drejtësisë përgjegjësit dhe se ai pret që kjo të ndodhë. Por, në vend të presionit ndaj Serbisë, edhe NATO paralajmëron se me Serbinë do të zhvillojë disa stërvitje të përbashkëta, që reflekton një lloj mirëbesimi mes tyre. Tash në NATO thonë se partneriteti me Serbinë duhet të jetë “rrugë e dyanshme”. Por edhe NATO duhet të jetë më e rreptë në këtë qasje, pasi edhe KFOR-i duhet të ndjejë përgjegjësi për lejimin që një grup aq i madh e aq shumë i armatosur të hyjë në territorin e Kosovës. Ky sulm, mes tjerash, ishte edhe një prej dështimeve më serioze në misionin e NATO-s në Kosovë në 28 vjetët sa është në Kosovë.
Ndërkohë, para drejtësisë për sulmet në Banjskë kanë dalë vetëm ata që janë arrestuar nga autoritetet e Kosovës. Ndërsa Serbia i ka injoruar thirrjet për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e këtij sulmi dhe ka injoruar edhe thirrjet për bashkëpunim në hetimet për këtë rast përmes kanaleve përkatëse. Këto kanale duhet të shkojnë përmes BE-së, por nuk ka as minimumin e interesit nga Serbia që kjo vërtet të ndodhë.
Sjellja e tillë joserioze, duke u kufizuar vetëm në deklarata formale boshe pa asnjë peshë, jo vetëm se nuk është e mirë për stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, por është në dëm edhe të vetë ushtarëve të vendeve të NATO-s që ndodhen në Kosovë, të cilët vihen në rrezik për shkak të kalkulimeve politike.
BE-ja po ashtu po vazhdon të luajë një lojë të dyfishtë rreth Banjskës edhe pas largimit të Miroslav Lajçakut dhe Josep Borrellit, të cilët kanë dëshmuar se ia kanë mbajtur anën Serbisë dhe kanë qenë tepër kritikë ndaj Kosovës. Mbetet fakt se Beogradi as për Banjskën nuk ka pasur asnjë pasojë, ndërkohë që Kosova ishte ndëshkuar me sanksione të rënda për shkak se në veri kishte ndërmarrë masa që u quajtën “të njëanshme”, edhe pse nuk u mohua e drejta që t’i bënte ata hapa në territorin e saj. BE-ja, në fillim, me terma shumë të ashpër kishte folur për sulmin, duke e quajtur “terrorist”, e në anën tjetër, kanë bërë çmos që në dokumentet e BE-së kjo ngjarje të paraqitet si një “operacion i madh i trafikimit të armëve”.
Nëse BE-ja dhe NATO-ja vërtet duan të sigurojnë që kryesit e sulmeve gjatë trazirave të muajit maj dhe sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023 të dalin para drejtësisë, atëherë e kanë më se të qartë se kush është fajtor, ku ndodhen ata dhe nën mbrojtjen e kujt janë. Pa një presion të qartë ndaj Serbisë, pa rezerva dhe pa ambiguitet, Beogradi nuk do të ndërmarrë asgjë. Dhe në këtë situatë, BE-ja dhe NATO-ja dalin joserioze. Kjo duhet të ndryshojë.