Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

BE-ja shpreh keqardhje që Serbia s’i ka marrë veprimet e nevojshme në sulmin në Banjskë

Banjska

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Serbia ende s’ka bërë asgjë për t’i sjellë para ligjit përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë. Kjo ishte përgjigjja e BE-së pas dënimit të tre të akuzuarve javën e kaluar për kryerje të veprës terroriste

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë. 

Një zëdhënës i BE-së i ka thënë KOHËS se pas vendimit të javës së kaluar lidhur me sulmin në Banjskë, mbetet shqetësuese mungesa e veprimeve konkrete nga ana e Serbisë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas vendimit të javës së kaluar për sulmin në Banjskë, BE-ja shpreh keqardhje që Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në veri të Kosovës në vitin 2023”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Më 24 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim. 
Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku një u plagos dhe tre u lënduan. 

Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit me dy kamionë, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga. 

Joseph Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së në kohën kur ndodhi sulmi i armatosur kundër policëve të Kosovës, e quajti këtë sulm terrorist. 

Kosova ka kërkuar vazhdimisht që Serbia të vihet në sanksione pasi nuk i ka dorëzuar të dyshuarit për sulmin në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin. 

Edhe familja e rreshterit policor të vrarë shprehu pakënaqësi se si udhëheqësi në terren i sulmit terrorist, Milan Radoiçiq, nuk është sjellë para drejtësisë në Kosovë. 

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit patën edhe fletëngarkime të armatimeve që ia dha Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, por edhe u trajnuan në baza si Pasuljankse Livade, ku nuk hyhet pa lejen e ushtrisë.

Në aktakuzë tregohet edhe për një takim ku Radoiçiqi në prezencë të presidentit të Serbisë tha: “I keni dëgjuar këta trima çfarë thonë, unë do t’ju them vetëm një gjë në emër të të gjithëve, se herën tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje”.

BE-ja pas sulmit pati thënë nuk do të vendosë sanksione pa u ngritur aktakuza, e me pas ka deklaruar se nuk do ta bëjë këtë pa u sjellë aktgjykimi për rastin. 

Ndryshe nga Kosova që ka kërkuar që t’i dorëzohen të akuzuarit për sulmin terrorist, BE-ja ka kërkuar që vetë Serbia të ndërmarrë masa ndaj atyre që e kryen sulmin terrorist.