Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

NATO-ja të jetë më serioze në kërkesën ndaj Serbisë për përgjegjësinë për sulmet ndaj ushtarëve të saj

Edhe pse NATO-ja e ka dënuar lëndimin e afro 100 ushtarëve të saj në veri të Kosovës para saktësisht tre vjetësh, nuk ka bërë sa duhet që Serbia të bashkëpunojë për dënimin e kryesve të këtyre sulmeve. Misioni i NATO-s në Kosovë nuk duhet të jetë viktimë e kalkulimeve politike në Bruksel, Paris, Romë, Budapest apo kudo tjetër. Ushtarët e NATO-s në terren nuk duhet të jenë viktima të kalkulimeve politike

Janë mbushur saktësisht tre vjet prej kur gjatë trazirave në veri të Kosovës pësuan rëndë edhe ushtarë të NATO-s. Ata u sulmuan nga ekstremistët serbë dhe disa prej ushtarëve të misionit të KFOR-it pësuan lëndime të rënda trupore, njërit thuhet se edhe i është amputuar këmba. Pa u mbushur katër muaj pas kësaj ngjarjeje, një akt edhe më i rëndë, i organizuar nga Serbia dhe nga strukturat e saj në Kosovë, ndodhi në veri. Sulmni në Banjskë të cilin edhe ish-përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, përndryshe i njohur për qëndrimet e tij kundër pavarësisë së Kosovës, e quajti sulm terrorist.

Këto dy sulme, që në NATO u cilësuan si “eskalimi më i madh i situatës në disa vjet të fundit” erdhën pas bllokadave të vazhdueshme të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës nga strukturat paralele që pa dyshim patën ndihmën e Serbisë. Tolerimi i barrikadave ndikoi që të inkurajohen strukturat ekstreme serbe në veri. Pastaj mungesa e përgjigjes adekuate politike ndaj Beogradit ndikoi që të rriten edhe më shumë tensionet. Brukseli, sidomos Bashkimi Evropian, përgjegjësinë kryesore për rritjen e tensioneve ia barti Qeverisë së Kosovës. E akuzoi atë për “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, që sollën rritjen e tensioneve”. Dhe si pasojë, Kosova u vendos nën sanksione. Ato të BE-së ishin shumë të ashpra, të papara deri më tash ndaj ndonjë vendi të rajonit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe pse nuk kanë munguar dëshmitë që kryesit e akteve të dhunës kanë pasur ndihmë nga Serbia, dhe ata janë identifikuar, nuk ka pasur masa ndaj tyre. Kanë dalë para drejtësisë vetëm ata që i ka identifikuar dhe i ka kapur Policia e Kosovës.

Në aspektin ushtarak, NATO-ja pas këtyre sulmeve ka rritur praninë e saj në Kosovë dhe sidomos angazhimin në pjesën veriore. Në secilën pyetje në NATO gjithmonë vetëm janë përgjigjur se “NATO është në Kosovë për të ofruar ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”. Dhe po ashtu se në çdo rast NATO do të ketë numër të mjaftueshëm të personelit në misionin e KFOR-it në Kosovë për të kryer mandatin e saj.

Nuk ka organizatë më të besueshme për qytetarët e Kosovës sesa NATO-ja. Kosovarët janë gjithmonë mirënjohës për rolin e NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe ruajtjen e paqes pas luftës. Por ky besim i madh ndaj NATO-s nuk duhet të jetë pengesë për të kritikuar kur ekzistojnë arsyet. E për situatën në veri të Kosovës përgjegjësi ka edhe NATO-ja. Ajo nuk e ka ruajtur sa duhet kufirin me Serbinë dhe pa dyshim se është dështim kur një sasi aq e madhe armatimi kalon përtej kufiri, madje edhe me automjete me shenja të KFOR-it, që dëshmon se sa e kanë nënçmuar edhe këtë mision kryesit e sulmit në Banjskë.

Edhe pse NATO-ja edhe BE-ja sikur edhe shtetet kryesore anëtare, kanë kërkuar vazhdimisht që Beogradi të nxjerr para drejtësisë përgjegjësit për Banjskën dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, nuk ka pasur presion të vërtetë ndaj Beogradit. Për më tepër NATO ka mbajtur nivelin e bashkëpunimit me Serbinë, duke kryer edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Ndërsa Serbia i ka injoruar thirrjet për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e këtij sulmi. Nga Beogradi, përpos se nuk ndërmarrin vetë asnjë veprim, në një mënyrë mundohen edhe ta arsyetojnë këtë sulm.
NATO-ja shpesh, edhe përmes sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka premtuar se duhet të nxirren para drejtësisë përgjegjësit dhe se ai pret që kjo të ndodhë. Jo vetëm se nuk është mirë për stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, por është në dëm edhe të vetë ushtarëve të vendeve të NATO-s që të mos insistohet deri në fund për përgjegjësinë e atyre që i sulmuan.

Edhe pse NATO e ka dënuar lëndimin e afro 100 ushtarëve të saj në veri të Kosovës para saktësisht tri vitesh, por nuk ka bërë sa duhet që Serbia të bashkëpunojë për dënimin e kryesve të këtyre sulmeve. Misioni i NATO-s në Kosovë nuk duhet të jetë viktimë e kalkulimeve politike në Bruksel, Paris, Romë, Budapest apo kudo tjetër. Ushtarët e NATO-s në terren nuk duhet të jenë viktima të kalkulimeve politike. 

Shpresojmë që edhe NATO-ja ta ketë nxjerrë mësimin nga sulmet ndaj ushtarëve të saj para tre vitesh dhe të sigurojë që kjo të mos ndodhë më. Parandalimi i ngjarjeve të tilla, dënimi i përgjegjësve, do ta forcojë edhe më shumë besimin edhe ashtu të madh ndaj NATO-s në Kosovë, kredibilitetin e saj në përgjithësi dhe do të rrisë ndjenjën e sigurisë edhe te qytetarët e Kosovës, të cilët llogarisin në mbrojtjen nga misioni i KFOR-it, i cili vazhdon të jetë në Kosovë tashmë 27 vjet.