Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas hulumtimit të publikuar në KOHË për dy kompani nga Gjilani që pretendojnë se prodhojnë dronë luftarakë.
Kandidatja për deputete e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mashtroi publikisht duke promovuar diçka të rreme, derisa theksoi se ky është një problem institucional dhe i sigurisë kombëtare.
“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri. Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Kabashi-Ramaj ka shtuar se prodhimi i dronëve kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar, protokolle të sigurisë e mbikëqyrje shtetërore, gjë që siç ka thënë ajo nuk zëvendësohen me video promocionale.
“Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, ka shtuar Kabashi-Ramaj.
Ajo ka thënë tutje se ngjashëm Kurti ka dhënë deklarata për fabrikën e municionit, por që nuk ka treguar plan të qartë për të.