Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK: Problemi s’është presidenti, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion

pdk

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron kushtetues dekretin e presidentes për shpërndarje të Kuvendit, rrjedhimisht më pas edhe zgjedhjet e reja. Kjo parti vlerëson se shumica parlamentare, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje, po e shtyn vendin drejt një krize të re institucionale. 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve jo për shkak të mungesës së alternativave për zgjidhje, por për shkak të refuzimit të tyre nga shumica parlamentare. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai shtoi se problemi s’është presidenti, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion nga VV-ja. 

“Nëse e di që nuk i ke votat, atëherë në politikë kërkon marrëveshje dhe konsensus. Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është zgjedhja e Presidentit, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar, për ta kapur çdo institucion”, ka thënë Tahiri në konferencë për media. 

Derisa ka mbrojtur qëndrimin e PDK-së në procesin e zgjedhjes së presidentit, Tahiri ka shtuar se deri tash asnjëherë Kuvendi nuk ka dështuar ta zgjedhë një president. 

Ai shtoi se PDK ka mbështetur idenë e një kandidati konsensual nga familja Jashari, ka qenë e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike dhe në fund ka ofruar edhe një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e Presidentit. 

“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.

Kurse deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese. 

“Kuvendi i Kosovës ka konsumuar të drejtën e tij për të zgjedhur Presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, shpërndarja e tij dhe dekreti i Presidentes janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Gruda.

Ai theksoi se në doktrinën kushtetuese evropiane ekziston parimi i ndalimit të përfitimit nga mosveprimi institucional. 

“Kompetenca për zgjedhjen e Presidentit nuk është diskrecionale, por një detyrim pozitiv kushtetues. Mosnisja e procedurës përbën një mosveprim kushtetues institucional që bllokon krijimin e një organi të shtetit”, deklaroi Gruda. 

Sipas tij, interpretimi se Kuvendi mund të shmangë shpërndarjen duke mos e nisur fare procedurën e zgjedhjes së Presidentit është në kundërshtim me logjikën kushtetuese dhe me parimin e efektivitetit të Kushtetutës. 

“Nëse pranohet se shpërndarja ndodh vetëm pas votimit të tretë, atëherë Kuvendi mund të mos e thërrasë kurrë seancën dhe të zgjasë mandatin përtej parashikimeve kushtetuese. Kjo bie ndesh me parimin e efektivitetit të Kushtetutës”, tha ai. 

Gruda shtoi se interpretimi korrekt i Kushtetutës kërkon që afatet kushtetuese të mos neutralizohen përmes mosveprimit institucional.  Ai përfundoi se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën me mosveprim dhe se pasoja e kësaj situate është shpërndarja e tij dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja. 

“Presidentja ka vepruar tërësisht në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe pritet që së shpejti të caktohet edhe data e zgjedhjeve”, përfundoi Gruda.