Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja i drejtohet Kushtetueses edhe për Qeverinë

PDK kushtetuese

Pas kontestimit të konstituimit të Kuvendit, PDK-ja e ka dërguar në Kushtetuese edhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë. Deputeti Përparim Gruda tha se një Kuvend i konstituuar në mënyrë jokushtetuese nuk mund të prodhojë institucione kushtetuese

Për të dytën ditë me radhë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Gjersa një ditë më parë u kontestua konstituimi i Kuvendit, të martën deputetët Përparim Gruda dhe Arian Tahiri sfiduan një vendim të legjislativit – atë për formimin e qeverisë.

“Një kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese nuk mund të prodhojë institucione kushtetuese. Ne edhe më herët kemi bërë ftesë që mos të procedohet tutje me nxjerrje të vendimeve të tjera, zgjedhje të qeverisë ose çdo vendimi tjetër, para se të sqarohet çdo pikëpyetje lidhur me kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gruda.

Të dielën, kryetarja Albulena Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar pa u votuar nënkryetari që i takon PDK-së dhe 37 ditë nga tejkalimi i afatit kushtetues.

Deputeti Tahiri paralajmëroi se mund t’i drejtohen sërish Kushtetueses.

“Po paralajmëroj se secilin vendim dhe secilin akt juridik që del, ne do e sfidojmë në Gjykatë Kushtetuese për shkak se konsiderojmë që është shumë e rëndësishme që vendi të kthehet në binarë kushtetues”, ka thënë Tahiri.

Seanca e konstituimit të Kuvendit nisi më 6 gusht dhe përfundoi më 13 shtator. Gjatë kësaj periudhe vazhdimet e seancave nuk janë mbajtur çdo 48 orë, ashtu siç e kërkon rregullorja.