Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konstituimi i Kuvendit përfundon në Kushtetuese

pdk gjykata kushtetuese

Foto: Driton Paçarada

(Lajm i përditësuar) - Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se nesër do ta dërgojnë edhe një kërkesë tjetër për vlerësim të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë.

“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve”, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri. 

Ai ka thënë se besojnë që para vendimit Gjykata Kushtetuese të vendos masë të përkohshme. 

“Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, ka theksuar Tahiri.

Ai ka thënë se edhe për secilin vendim që do të merret ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. 

Edhe PDK-ja i drejtohet Kushtetueses edhe për Qeverinë LAJMET E MBRËMJES PDK-ja i drejtohet Kushtetueses edhe për Qeverinë

Ndërkohë deputeti i PDK-së Përparim Gruda ka paralajmëruar se të martën do ta dorëzojnë në Kushtetuese edhe një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë. 

“Nuk mund ta vazhdojmë që Kuvendi të vazhdojë të zgjedhe organet qendrore të shtetit duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese”, është shprehur Gruda.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të shkelë çdo afat e pastaj të përfitojë nga këto shkelje.

“Nuk mund të krijojmë një precedent ku një parti politike i zëvendëson afatet e përcaktuara në Kushtetutë me afatet e veta politike. Asnjë shumicë, sado e madhe qoftë ajo, nuk mund të shkelë Kushtetutën. Kushtetuta ekziston për të kornizuar pushtetin, për të vendosur nën një kornizë. Nëse Kuvendi i Kosovës është themeluar me këto pikëpyetje kushtetuese, vendimet që dalin nga ai kanë probleme po ashtu kushtetuese, ka thënë Gruda.

Gruda ka theksuar se në seancën e 11 shtatorit janë tradhtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne kemi thënë se shkojmë për ta konstituuar për hirë të 16 shtatorit, por ajo u keqpërdor. Ajo u kthye në një absurd, përherë shpikej një arsyetim. Ne i shkuam më 9 shtator, më 11 shtator u shpik një arsyetim tjetër dhe më 11 shtator ne u tradhtuam në seancë. Ne e votuam kandidatin e tyre. Publikisht u shkel fjala e dhënë se do të votohej kandidati jonë”, ka deklaruar Gruda.

Të dielën është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.

Tetë votat kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe, derisa ata të PDK-së, LDK-së e Aleancës nuk morën pjesë në seancë.

Edhe PDK-ja çon në Kushtetuese edhe formimin e Qeverisë Arbëri PDK-ja çon në Kushtetuese edhe formimin e Qeverisë

Votimit të Qeverisë i ka hapur rrugë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, i mbajtur të dielën në orët e paradites.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e 11-të pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. Kjo parti e ka bojkotuar vazhdimin e seancës me arsyetimin se janë shkelur ligjet e Kushtetuta.