Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar 121 telefona celulatë të markave iPhone dhe Samsung në një aksion anikontrabandë të zhvilluar në Gjakovë.
Sipas Doganës për këta telefona nuk është paraqitur dokumentacion që dëshmon prejardhjen e tyre dhe përmbushjen e detyrimeve doganore.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë operacionit, zyrtarët doganorë kanë ushtruar kontroll në një subjekt afarist që merret me tregtimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike, ku është identifikuar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë të modeleve të ndryshme.
Përveç kontrollit në lokalin afarist, thuhet se kontrollet janë zgjeruar edhe në një banesë, të cilën pronari i biznesit e shfrytëzonte si depo për ruajtjen e mallrave. Edhe në këtë lokacion është zbuluar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë.
“Gjatë kontrollit dhe verifikimit fillestar, është konstatuar se pronari i biznesit nuk posedonte dokumentacion që dëshmonte origjinën dhe prejardhjen e ligjshme të këtyre pajisjeve, si dhe nuk kishte dëshmi për kryerjen e procedurave të zhdoganimit dhe pagesën e detyrimeve përkatëse doganore”, thuhet në njoftim, ku shtohet se në mesin e pajisjeve të ndaluara përfshihen telefona të rinj dhe të përdorur të markës Apple, si dhe telefona të markës Samsung.
Edhe
Dogana kap në aeroport tetë iPhone 18 të padeklaruar
“Në të dy lokacionet janë ndaluar gjithsej 121 telefona celularë, të cilët janë evidentuar individualisht përmes numrave identifikues IMEI dhe janë vendosur nën mbikëqyrje doganore për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat përkatëse për verifikimin e prejardhjes së mallrave, përcaktimin e detyrimeve eventuale doganore dhe trajtimin e shkeljeve të dyshuara të legjislacionit doganor.