Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën, zhgënjimin dhe kundërshtimin e saj për aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një komunikatë për media, ka shkruar se sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.
“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar në Kosovë me sakrificë, gjak dhe luftë për liri, duke shtuar se ajo nuk rishkruhet sot.
“Historia jonë është shkruar nga populli ynë që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga një aleancë historike me botën demokratike që, në vitin 1999, i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë. Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”, thuhet tutje në reagim.
Tutje thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia, por se ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
Prandaj, ka deklaruar se vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
“Sot, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë. PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës. Për ne, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare. Dhe njerëzit që udhëhoqën luftën dhe proceset politike që sollën lirinë dhe shtetin e Kosovës nuk mund të fshihen nga historia me një vendim gjyqësor. Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Por sot nuk përfundon as historia, as beteja për të vërtetën”, thuhet tutje në reagim.