Paga e 13-të do të shpërndahet të martën, më 31 mars, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Në një shkrim në Facebook, Geci duke publikuar fotografi me ministrin e Financave Hekuran Murati, ka thënë se kohëve të fundit ka pasur informata të pavërteta lidhur me këtë çështje.
“Njoftim për qytetarët. Rroga e 13-të do të shpërndahet të martën, më 31 mars, pasi që kohëve të fundit disa institucione dhe individë kanë shpërndarë informacione të pavërteta lidhur me këtë çështje. Urime!” ka shkruar ai.
Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit. Dhënia e pagës së 13-të për sektorin publik është përfshirë në Buxhetin për vitin 2026. Aty thuhet se për të ndarë pagën e 13-të, duhet të merret vendim nga Qeveria, pasi të sigurohet se përgjatë vitit fiskal respektohet rregulla fiskale për mostejkalim të tavanit të deficitit prej 2 për qind të bruto produktit vendor.
Vlera e pagës së 13-të është e barabartë me nivelin e koeficientit sipas kontratave dhe që i jepet punonjësve që kanë qenë të angazhuar në ndonjërën nga organizatat buxhetore për së paku 12 muaj para muajit kur merret vendimi.
Edhe
Ekzekutohet paga e 13-të për sektorin publik
Kushtet që duhet të plotësohen për t’u kualifikuar për pagën e 13-të dhe kriteret tjera të përfitimit mund të caktohen me vendim të Qeverisë.
Qeveria pritet ta mbajë mbledhjen e ardhshme të hënën. Aty pritet edhe ndarja e 500 mijë eurove për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll për kualifikim në finalen e plejofit për Botërorin 2026.