Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Paga e 13-të për sektorin publik vlerësohet diskriminim për atë privat

Qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës ka vendosur ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, një masë që prek rreth 85 mijë të punësuar dhe kap vlerën e afërsisht 75 milionë eurove. Ky vendim po konsiderohet diskriminues nga përfaqësues të sektorit privat, të cilët argumentojnë se masat mbështetëse po favorizojnë vetëm punonjësit e administratës shtetërore

Vendimi i Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro.

Përveç kostos buxhetore, ky vendim po shihet si diskriminues për punëtorët e sektorit privat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, thotë se një ndërhyrje më adekuate do të ishte zbatimi i një mase të tillë për të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta.

Sipas tij, studimet e fundit në Kosovë tregojnë se punëtorët në sektorin publik paguhen rreth 31 për qind më shumë për orë pune sesa ata të sektorit privat.

"Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike tek ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë qeveria veçse ka vendosur të zbatoj një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshi punonjës të sektorit privat dhe atij publik", ka thënë Hasaj.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, thotë se në këtë vendim duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, si mbushës të arkës së shtetit.

“Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”, ka thënë Azemi.

Diskriminuese këtë vendim e ka quajtur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Një padrejtësi tjetër qëndron në faktin se ata që kanë punuar vitin e kaluar në sektorin publik, por nuk vazhdojnë të punojnë më, janë të përjashtuar nga kjo pagë, ndonëse ajo jepet për punën e bërë gjatë vitit të kaluar. A mendoni se kjo është një politikë diskriminuese ndaj sektorit privat dhe atyre që nuk punojnë më?”, ka thënë ai.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë, të hënën, ku bëri të ditur se më 31 mars do të ekzekutohet paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, ka treguar edhe mënyrën e zbatimit të saj.

“Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë”, ka thënë Murati.

E në fillim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë në përgatitje të një pakoje kundër inflacionit, që do t’iu vihet në ndihmë edhe punëtorëve të sektorit privat.

Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe është përfshirë në buxhetin e vitit 2026.