Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pa nisma zyrtare për çështjen e presidentit ndonëse afati kushtetues po afrohet

president

Edhe pse kanë mbetur rreth dhjetë ditë deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, partitë politike ende nuk kanë nisur diskutime konkrete për kandidatin. Kryeministri Albin Kurti nuk ka filluar bisedimet me subjektet politike, ndonëse kishte paralajmëruar se kjo do të ndodhte pas miratimit të buxhetit për vitin 2026, i cili tashmë është votuar në Kuvend. Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është bërë e ditur kur do të nisin konsultimet, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 4 marsi.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë për një mandat të dytë, por nuk ka konfirmuar nëse i ka siguruar votat e nevojshme. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti nga e cila ajo ka dalë, nuk ka ende një qëndrim të prerë për mbështetjen e saj. Shefja e grupit parlamentar, Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se pa kandidatura zyrtare nuk mund të jepen qëndrime, duke shtuar se posti i presidentit kërkon përkushtim dhe, idealisht, konsensus mes partive.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga ana tjetër, opozita po diskuton mundësinë e bashkërendimit. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka ftuar PDK-në dhe LDK-në për bisedime, duke paralajmëruar se mungesa e unitetit mund ta lërë opozitën të përçarë gjatë gjithë mandatit. Në PDK, disa deputetë janë shprehur kundër rizgjedhjes së Osmanit dhe kanë treguar gatishmëri për të mbështetur një kandidat konsensual.

Zgjedhja e presidentit kërkon të paktën 80 vota në dy raundet e para, çka e bën të domosdoshme një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës. Analisti Basri Muja ka theksuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe për të ruajtur stabilitetin institucional. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca për zgjedhjen e presidentit do të thirret sapo të sigurohen të paktën 30 nënshkrime për secilin kandidat, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda afatit kushtetues.