Presidentja Vjosa Osmani në një takim me delegacionin amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka theksuar rëndësinë e foricimit të raporteve ndërshtetërore, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe të zhvillimit ekonomik.
Këtë qëndrim ajo e ka dhënë në takim me kongresistin Michael Turner, që udhëheq delegacionin e SHBA-së në AP-në e NATO-s. Sipas Presidencës, pjesë e delegacionit ishin edhe kongresistët Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik i Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe potencialin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të investimeve amerikane në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Osmani në takim, sipas komunikatës, i ka njoftuar kongresistët për zhvillimet e sigurisë në Kosovë e rajon si dhe për kontributin e Kosovës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.
E në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se Kosova është thellësisht mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara – për sigurinë, për demokracinë dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.