Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me të cilët ka diskutuar disa çështje, mes tjerash edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Në një shkrim në Facebook të premten, Osmani ka thënë se u prit në takim nga Rubio në Departamentin e Shtetit në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Me SHBA-në jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj!”, ka shkruar ajo.
Në takim, siç ka njoftuar Osmani, është diskutuar për forcimin e aleancës dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin e Kosovës.
“Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyqe për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, ka shkruar Osmani.
Tutje, presidentja është shprehur se krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbesin të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës.
Osmani mori pjesë në takimin hapës të Bordit të Paqes, që u mbajt të enjten në Washington nën kryesimin e presidentit Donald Trump.
Rubio falënderon Kosovën për përfshirjen në Bord të Paqes
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka falënderuar popullin e Kosovës dhe presidenten Vjosa Osmani për përkushtimin për paqe dhe stabilitet, duke u bërë shtet anëtar i Bordit të Paqes.
Në një shkrim në platformën X ai ka njoftuar për takimin që ka pasur të premten me Osmanin në Washington.
“E kam takuar presidenten Vjosa Osmani dhe e kam falënderuar atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin e tyre për paqe dhe stabilitet, duke u bërë anëtar themelues i Bordit të Paqes. Po ashtu e kam falënderuar presidenten Osmani për kontributin e saj në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza”, ka shkruar ai.
Ndërkaq në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është bërë e ditur se zëdhënësi Tommy Pigott ka thënë se Osmani është partnere e dedikuar e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Pigott po ashtu ka thënë se “SHBA-ja pret të punojë me qeverinë e re të Kosovës për të shtyrë përpara agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet e përparim ekonomik”.
Kosova u bë anëtare e Bordit të Paqes, si organizatë e re ndërkombëtare e iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Qëllimi fillestar i organizatës ka qenë për paqe në Gazë dhe rindërtim të saj. Në takimin e parë, të mbajtur të enjten, Kosova u bë e ditur se është zotuar për dërgim të trupave të sigurisë në forcën e përbashkët ndërkombëtare në Gazë.