Arbëri

Osmani: Kosova është e hapur për investime

osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e hapur për investime. Në një tryezë me drejtues biznesesh nga vende të ndryshme të botës, në kuadër të Berlin Global Dialogue, ajo ka prezantuar potencialin e Kosovës.

Osmani ka theksuar se Kosova është ekonomi e bazuar në parime dhe rritje strategjike. 

“Kosova është e hapur për investime dhe gati të integrohet në tregjet globale. Sot, ne nuk jemi më vetëm destinacion me kosto të ulët, por ekonomi e bazuar në besim, parime dhe rritje strategjike”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Berlin, të enjten qëndroi edhe në Aspen Institute, nga ku foli për aspiratat e Kosovës dhe se një gjë mbetet e palëkundur, që e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE.

“Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, tha ajo të enjten.