Stacioni i ri i autobusëve në Ferizaj, i ndërtuar me një kosto prej afro 1 milion eurosh, ka ngjallur reagime të shumta nga opozita dhe qytetarët. Ata shprehen të pakënaqur me lokacionin e zgjedhur, duke e konsideruar atë të papërshtatshëm dhe të largët nga qendra e qytetit. Komuna e Ferizajt thotë se zgjidhja do të bëhet me trafikun urban, por edhe për këtë ankuesit thonë se s’ka infrastrukturë të përshtatshme
Stacioni i autobusëve në qytetin e Ferizajt, i cili këtë vit u përurua me bujë të madhe dhe kushtoi afro një milion euro, nuk është mirëpritur nga opozita e qytetarët. Ata thonë se vendi ku është ndërtuar stacioni është larg qytetit dhe kjo ua ka vështirësuar lëvizjen.
“Jo larg, po shumë larg. Nuk e di kush e ka marrë atë iniciativë, po vendim më i keq në komunë të Ferizajt nuk e di që është marrë ndonjëherë”, ka thënë qytetari Elmi Muhadini.
Edhe për Azem Xhemajlin dhe Azem Qerkinin distanca është shumë e largët për qytetarët.
“Kam dëgjuar, sepse ende nuk kam qenë atje për ta parë, por është pak larg. Sidomos për ne personat me aftësi të kufizuara fizike”, ka theksuar Qerkini.
Edhe asambleisti i LDK-së në këtë qytet, Flamur Istrefi, ka thënë se pushteti lokal ka dështuar me këtë projekt, pasi vendi ku është ndërtuar stacioni është shumë larg qendrës së qytetit.
“Edhe nëse vendoset që ta kemi një transport urban në Ferizaj, duhet theksuar se kushtet përcjellëse nuk janë. Nuk ka pritore ku do të duhej që të ndalen autobusët, si edhe rrugët nuk e plotësojnë asnjë kriter për transport urban. E për të gjithë këtë duhet theksuar se komuna e Ferizajt ka dështuar në këtë stacion”, ka deklauar Istrefi.
E Fatbardha Reka, asambleiste e LVV-së në Ferizaj, thotë se si parti, pos që nuk pajtohen me lokacionin, kanë ngritur dyshime edhe për keqpërdorime në këtë projekt.
“Gjatë ndërtimit të stacionit ka pasur shumë parregullsi, shumë keqpërdorime, duke filluar nga hapësira, e cila ka qenë 1.5 hektar dhe ka përfunduar në 7 ari, e kështu me radhë”, është shprehur Reka.
Në Komunë thonë se lokacioni është caktuar duke u konsultuar me ekspertë të komunikacionit, arkitekturës e infrastrukturës.
Zëdhënësi i Komunës, Selim Marevci, thotë se zgjidhja do të bëhet me trafikun urban që, sipas tij, do të funksionalizohet gjatë këtij muaji dhe do ta lehtësojë qarkullimin e qytetarëve.
“Është edhe spitali i ri në atë pjesë, QKMF-ja kryesore në atë pjesë, një shkollë tjetër që do të përfundohet vitin e ardhshëm. Pra, është komplet një qytet i ri që po zhvendoset në atë pjesë dhe për atë është menduar te pjesa ku tashmë është stacioni i autobusëve”, ka arsyetuar zyrtari i komunës, Selim Marevci.
Në Komunë kanë treguar se lokacioni i vjetër i stacionit të autobusëve do të kthehet në park.