Për herë të parë në Komunën e Ferizajt kanë filluar operimin linjat urbane. Për momentin në qendrën e qytetit janë shpërndarë katër autobusë, që këtë muaj janë duke funksionuar pa pagesë. Gjersa bileta pritet të kushtojë vetëm 20 centë që nga muaji tjetër. Zëdhënësi i Komunës thotë se projekti është duke u zhvilluar në fazën fillestare dhe janë duke i marrë parasysh ankesat e qytetarëve në përmirësimin e shërbimit.
Që nga e hëna, qyteti i Ferizajt ka nisur një risi në fushën e transportit publik. Për herë të parë do të funksionojnë linjat urbane të autobusëve në qendër të qytetit.
Zëdhënësi i Komunës, Selim Mareci, bëri të ditur se gjatë fazës njëmujore të testimit, shërbimi do të jetë falas për të gjithë qytetarët që zgjedhin të udhëtojnë me transportin publik.
Sipas Marecit, pas përfundimit të fazës testuese, çmimi i biletës pritet të jetë rreth 20 centë, ndërsa planifikohet edhe ofrimi i biletave ditore.
Komuna është duke shqyrtuar gjithashtu përjashtimin nga pagesa për disa kategori të caktuara të qytetarëve.
“Janë katër linja duke operuar për momentin këtu në Ferizaj. E thash që në fillim që këto linja do t’i mbulojnë pjesën më të madhe të qendrës së qytetit. Varësisht nga kërkesa e qytetarëve do të ketë edhe shtim të autobusëve dhe linjave të reja. Gjithashtu do të zvogëlohet edhe orari i pritjeve së autobusëve. Janë caktuar edhe lokacionet urbane se ku do të ndalen linjat për t’i marrë udhëtarët. Për këtë muaj transporti do të jetë pa pagesë, kurse ne jemi duke e shqyrtuar që në muajt e ardhshëm bileta të jetë më pak se 50 centë, pra do të jetë kosoto më e lira në rajon”, deklaron Mareci.
Ai shton se është duke u diskutuar për lirimin nga pagesa të kategorive të caktuara, si veteranët dhe familjet e dëshmorëve, përmes subvencioneve komunale.
“Do të diskutohet edhe cilat kategori nuk do të paguajnë siç janë veteranët apo familjet e dëshmorëve. Mirëpo kjo do të jetë në kuadër të subvencioneve që do t’i shpërndajë komuna. Do të jetë e organizuar si të gjitha linjat urbane në qytetet e tjera, do te ketë edhe bileta ditore njëlloj sikurse kryeqyteti që e ka”, thekson Mareci.
Menaxheri i linjës “A”, Muhamet Qorolli, thotë se ndonëse ka ende disa pengesa teknike, qytetarët kanë shprehur interesim të madh për përdorimin e këtyre linjave të reja.
“Këto linja janë të lëshuara nga komuna në bashkëpunim me ne. Është një ide shumë e qëlluar e komunës dhe të dy linjat janë duke punuar me kapacitete të plota për t’i realizuar kërkesat e qytetarëve. Interesimi i njerëzve është i madh edhe për kundër faktit që ende ka pengesave sepse nuk janë rregulluar disa gjëra të tjera. Ende nuk janë sinjalizuar gjërat sepse qytetarët ende nuk po e dinë se ku të dalin dhe të presin autobusin apo edhe drejtimet e tij”, deklaron ai.
Qorolli thekson nevojën për zgjerimin e linjave edhe në drejtim të fshatrave të Ferizajt, ku mungesa e transportit mbetet problem serioz, sidomos për nxënësit dhe banorët që punojnë në qytet.
“Komuna e ka bërë një hap shumë të mirë për qytetarët e vet. Kjo ide është e mirëseardhur edhe për neve. Edhe fshatrat e Ferizajt kanë nevojë që të ketë qarkullim më të shpeshtë të linjave të autobusëve. Ka pak linja që qarkullojnë për në fshatra dhe që është jashtëzakonisht problematike udhëtimi si për nxënës po ashtu edhe për të gjithë ata qytetarë që punojnë në qytetet e që vijnë nga fshatrat”, thotë ai.
Aktualisht, nisjet nga stacioni i autobusëve bëhen çdo gjysmë ore, me synim që ky interval të zvogëlohet në të ardhmen.