Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Efekti i çmimit të naftës, shtrenjtohen biletat e autobusëve

autobus

Udhëtarët që mësyjnë Prishtinën nga fshatrat Sfeçël, Shajkovc, Barilevë dhe Orllan nga e mërkura kanë nisur të paguajnë më shtrenjtë për biletat e autobusëve. Sipas kompanive të transportit, rritja e çmimit të biletave është pasojë e çmimit të naftës dhe rritjes së kostove të operimit. Qytetarët ankohen për rritje të kostos së jetës, në kohën kur inflacioni vjetor ka shënuar rritje prej më shumë se 7 për qind

Nga e mërkura, për të udhëtuar nga fshatrat Sfeçël, Shajkovc, Barilevë e Orllan drejt Prishtinës, çmimet e biletave të autobusëve do të jenë më të larta.

Për këto fshatra, biletat janë ngritur për 20 deri në 30 centë më shumë se sa kanë qenë deri tash: 1.80 euro nga Barileva në Prishtinë dhe nga Shajkovci, ndërsa 2 euro nga Sfeçla.

Një qytetar thotë se ngritja e çmimit është e lartë.

“Nga Orllani në Prishtinë, bileta ka qenë së pari 1 euro, mandej 1.40, mandej 1.50, tash 1.80, nuk po kemi, po arsyetohen për naftë, u shtrenjtua nafta, u shtrenjtua bileta”, ka thënë një banor i kësaj zone. 

Sadat Kurtolli, pronar i njërës prej kompanive që ka ngritur çmimet, thotë se ky veprim ka qenë i pashmangshëm. 

“E vetmja arsye është ngritja e naftës, sepse nuk po mund t’ia dalë, nuk po mund t’i paguajmë punëtorët, mirëmbajtjen e autobusëve. Edhe, edhe kjo është arsyeja e vetme që po kemi vështirësi shumë të mëdha. Edhe me këtë çmim që është, nuk ia dalim dot, po me mundim e mbulojmë”, është arsyetuar Kurtolli. 

Edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Jakup Berisha, e arsyeton ngritjen e çmimeve nga kompanitë private. 

“Kompanitë nuk mund të ekzistojnë kështu. Është e vështirë të operosh në këtë drejtim, me këto kushte edhe me këto çmime që janë sot në treg”, ka deklaruar Berisha. 

Ngritje të çmimit të biletave ka pasur edhe në disa fshatra të Fushë-Kosovës, në linjat drejt kryeqytetit. Para rreth një muaji, këto kompani pezulluan transportin nga Miradia e Epërme, Henci dhe disa fshatra të tjera, me arsyetimin e kostove të larta pas shtrenjtimit të naftës.

Në lidhje me monitorimin e çmimeve në treg, KOHA ka adresuar pyetje në Inspektoratin Qendror të Transportit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por gjatë së mërkurës kanë munguar përgjigjet.

Krahas biletave e naftës, qytetarët përballen edhe me shtrenjtim të produkteve e shërbimeve të  tjera. Në gusht, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të shkuar, inflacioni është rritur për 7.3 për qind. 

“200 euro e kam pensionin. 100 euro më shkojnë në treg, 100 euro barna. Edhe do pagesa, fëmijët pak që më ndihmojnë, pagesat... edhe për banesë. S’di çka me të thanë. Jeta çdo ditë po na bëhet pak më... më e... po afrohet ajo farë, duhet me heq shumë sende për të mundur të... të ekzistosh”, ka thënë një qytetare. 

E, sipas profesorit të ekonomisë, Shkumbin Misini, mungon një plan strategjik nga Qeveria për zbutjen e inflacionit. 

“Pse prekemi ne më së shumti? Sepse jemi më të varfër. Të dytën, e ka shtresën e mesme, i bën të varfër, dhe të varfrit i varfëron edhe më shumë. Në ekonomi nuk kemi pasur ndonjë politikë deri tani adekuate, profesionale, për ta zbutur këtë inflacion. Nuk është hequr akciza, nuk është hequr TVSH-ja, vendet më të zhvilluara i kanë larguar”, është shprehur kritik Misini.  

Rritja e shumë prej çmimeve është arsyetuar me shtrenjtimin e naftës, që u bë pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme. Në Kosovë nuk është shënuar rënie çmimi dhe aktualisht është në afro 1 euro e 90 centë për litër, ndonëse në bursat ndërkombëtare, një fuçi u tregtua rreth 90 dollarë, teksa më herët gjatë këtij muaji ishte mbi 100 dollarë.