Arbëri

Ahmeti: Nuk mund t’i lirosh nga pagesa në fushatë e pas tre ditësh të mbesësh pa para

Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka renditur në disa pika, të cilat sipas tij tregojnë funksionimin e Trafikut Urban dhe shërbimit që ofrohen pa u krijuar telashe. Sipas Ahmetit, modeli i tij është përdorë si shembull nga BERZH-i.

Ahmeti ka shkruar se për të siguruar kredi për 51 autobusë, Trafiku Urban duhej siguruar që ka të hyra për ta kthyer kredinë.

Së dyti, ka shkruar ai, se transporti publik është interes publik. “Linja për fshatrat e Gollakut psh mund të mos ketë kuptim dhe fitim financiar por ka kuptim të interesit publik”.

“3. Prandaj kemi vendosur që komuna të paguaj Trafikun Urban si shërbim për kilometër të autobusit. Aty ku Trafiku Urban nuk ka interes financiar, komuna ka interes publik. Kësisoji, pa marr parasysh numrin e udhëtarëve, ka të hyra për të paguar kredinë. 4. Modeli financiar që e kam ndërtuar me konsulentin anglez personalisht. Kostoja e kilometrit ka përfshirë shpenzimet e Trafikut Urban dhe shpenzimet e kredisë për autobusët e rinj. Kostoja për kilometër*km - të hyrat nga biletat = fatura mujore për Komunën”, ka shkruar ai.

Si pikë të pestë, Ahmeti ka shkruar se kur dikush nga komuna thotë lirimi nga pagesa nuk ka ndikim – gënjen.

“Ti mundesh me liru kategori nga pagesa por dikush duhet të paguajë. Ne kemi liru nga pagesa penzionerë, por si komunë kemi paguar për secilin penzionist që kemi liruar, sepse modeli e kërkon. Nuk mundesh me liru nga pagesa në fushatë e pas tre ditëve me mbet pa pare”, ka shkruar ai.

Si pikë të gjashtë, Ahmeti ka thënë se transport publik pa subvencionim nga buxheti komunal nuk ka.  

“Duhesh me pas linjë edhe me dy udhëtar e duhesh me pas linjë edhe me humbje për me motivu qytetarët mos me përdor kerre”, ka shkruar ai. “7. Modeli jonë është përdor si shembull nga Berzh. E kemi lënë marrëveshjen edhe për 30 autobusë të tjerë (8 elektrik) bazuar në përformancën në kredinë e parë. Pse nuk është bo nuk e di”.

Sipas Ahmetit përgjegjësia është e përbashkët dhe dëmi poashtu i madh për qytetarët.