Arbëri

Ndërprerja e transportit publik, ish-kryetari i Prishtinës me thirrje : Aman takohuni qoftë edhe me ndërmjetësues

Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Prishtinës dhe atyre të qeverisë në detyrë të takohen dhe të arrijnë një kompromis. 

Ahmeti ka thënë se pezullimi i transportit publik nga e hëna është vetëm një problem, pasi ka paralajmëruar se shkollat mund të mbesin pa rrymë e çerdhet pa yjë. 

“Politika është kompromis.   Posaçërisht kur është interesi qytetar në pyetje.  Autobusat janë një, e ditëve në vijim shkollat do të mbesin pa rrymë, çerdhet pa bukë etj etj.  Aman takonu qoftë edhe me ndërmjetësues sepse janë pika vitale të funksionimit.  Çkado që keni nevojë janë të gatshëm të tjerët të ndihmojmë.  Postet vijnë e shkojnë.  Zgjedhje do të ketë edhe të tjera.  Por të këqijat ju mbesin në ndërgjegje e në histori.  Takonu!” – ka shkruar Ahmeti në Facebook. 

Ai kishte udhëhequr me kryeqytetin për tetë vjet. 

Ahmeti ka treguar se si e kishte gjetur “Trafikun Urban” me 1.5 milionë euro borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara. Ai tregoi se atëbotë procesi i ishte zhagitur nga qeveria e udhëhequr nga LDK-ja, por ishte takuar disa herë me Avdullah Hotin, përkundër kundërshtimeve. 

“Nesër Prishtina s’ka transport publik.  Ditë e dhimbshme.  E patëm marr Trafikun Urban me 1.5 milion borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara.  Procesi na është zhagitur nga qeveria e udhëhequr nga LDK për shkak të garancionit të sovranitetit që duhej të votohej nga Kuvendi i Republikës.  Edhe pse kishim siguruar 10 milion euro kredi nga BERZH. Gjatë asaj kohe përkundër kundërshtimeve kam takuar vetëm Avdullah Hotin nja pesë herë.  Kam kërkuar edhe nga shefi i grupit parlamentar të VV që t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare (asokohe VV rrallë votonte propozimet e qeverisë) vetëm që të votoheshin edhe autobusët”, ka shkruar Ahmeti.

“Trafiku Urban” ka njoftuar se nga nesër pezullohen shërbimet shkaku i problemeve financiare. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur konferencë për media duke e akuzuar qeverinë në detyrë për bllokim të buxhetit. E ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka thënë se Thesari të premten ia ka ekzekutuar, para kohe, Prishtinës buxhetin për muajin dhjetor. Por, tha se stafi i Komunës së Prishtinës kishte përfunduar orarin dhe nuk kishte ekzekutuar asnjë pagesë.