Arbëri

Ndërpritet transporti publik, vazhdojnë përplasjet Rama-Murati-Abdixhiku për buxhetin

Rama Abdixhiku Murati

Nga e hëna e 24 nëntorit, transporti publik në kryeqytet do të ndërpritet. Në një njoftim gjatë ditës, si arsye u potencua vështirësia financiare që ka çuar në mungesë të karburanteve. 

Para këtij njoftimi, kryetari Përparim Rama e mbajti një konferencë për media, në të cilën deklaroi se për herë të parë në historinë e Kosovës, qeveria po bllokon të hyrat vetanke të kryeqytetit. E paraprakisht kishe zhvilluar takim me përfaqësues të transportit urban dhe të shoqatës së transportuesve të sektorit privat.

“Bëhet fjalë për funksione elementare të kryeqytetit tonë, për mirëqenien e fëmijëve tanë, të moshuarve dhe familjeve tona. Për mbi një vit kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. As një kërkesë nuk është trajtuar, buxheti është bllokuar për çështje krejtësisht politike. 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar janë bllokuar nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin.”, ka thënë ai.

Deklarimit të Ramës, i reagoi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Murati deklaroi se të premten pasdite, Thesari e alokoi buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike, por, në fund të ditës, thotë se u njoftua nga Thesari që stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.

“Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, ka shkruar ai.

Përplasjet e Muratit me Abdixhikun

Më vonë, Murati shkroi edhe një shkrim tjetër në Facebook, ku iu drejtua kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për mosvotim të buxhetit në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Sipas Muratit, po të votohej, Prishtina do ta kishte buxhetin e plotë.

Kreu i LDK-së e akuzoi sërish ministrin në detyrë, Hekuran Murati për bllokim të buxhetit, duke shtuar se shkatërrimin e vendit e kanë mision.

“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg. Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan marrë qartë. Do ta marrin me 28 dhjetor sërish. Sepse Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij. Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot. Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Nuk mungoi sërish reagimi i ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Sipas Muratit, Abdixhiku nuk u përgjigj në pyetjen e tij se pse nuk e votoi në kuvend buxhetin por po bën fushatë.

“Dhe ja, në vend se të përgjigjet pse nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, Lumir Abdixhiku qenka marrë me fushatë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo veç çka e vërteton atë që e thash, se këta fare nuk e kanë hallin te qytetari, përndryshe do ta kishin votuar buxhetin jo veç të Prishtinës por edhe të RTK-së e të shtetit për vitin 2026 e nuk do të kishin rrezikuar pagat, pensionet, e shumë shërbime tjera esenciale”, shkroi Murati në reagimin e tij të sërishëm.

Si rrodhi çështja e buxhetit për kryeqytetin?

Në fillim të korrikut, kryetari Rama pati akuzuar Qeverinë se po bllokon qëllimshëm kryeqytetin. Ai pati thënë se ndalesa është e jashtëligjshme dhe e motivuar politikisht. Rama pati publikuar edhe një letër drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Aty Rama pati thënë se problemi financiar i kryeqytetit është pasojë e mosfunksionalizimit të institucioneve qendrore, që nuk kanë bërë ndryshimet në Ligjin për Buxhetin 2025. Në letër, Rama kishte shkruar po ashtu se Ministria s’po ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

E ministri Murati i pati quajtur gënjeshtra pretendimet e Ramës për bllokim. Murati tha se buxheti komunal duhet të miratohet nga Kuvendi Komunal më së voni deri me 30 shtator, ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni më 31 tetor. Sipas tij, tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjidhet Qeveria e re, mund të iniciohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projektbuxhetin e Komunës së Prishtinës.

Përplasjet Komunë-Qeveri kanë qenë të vazhdueshme. Rama në disa raste ka akuzuar Qeverinë se po përpiqet qëllimisht t’ia ndalojë projektet në kryeqytet.

Buxheti i Komunës për 2025 ishte votuar në dhjetor të vitit të shkuar. E në muajt e 2025-s komuna punoi me buxhet të vitit paraprak.

Si e parasheh Ligji për buxhetin këtë çështje?

Disa nene të Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë që janë relevante për rastin kur komuna nuk dorëzon / miraton propozim-buxhetin:

Neni 62.1 — Nëse kryetari i komunës nuk ia dorëzon Kuvendit Komunal propozim-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore deri më 1 Shtator, Ministri emëron një administrator financiar komunal dhe ai merr përgjegjësitë e kryetarit për buxhetin komunal.

Neni 62.2 — Nëse Kuvendi Komunal dështon të miratojë propozim-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore brenda afatit (sipas nenit 20 të ligjit), Ministri ka autoritetin të përgatisë propozim-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore që nuk mund të jenë më të mëdha se buxheti i vitit aktual fiskal.

Neni 62.3 — Nëse komuna miraton propozim-buxhetin pas afatit, por para miratimit të ligjit për ndarjet buxhetore dhe buxhetit të shtetit, Ministri duhet menjëherë ta dorëzojë atë te Qeveria, që ajo më pas ta dërgojë në Kuvend për miratim.

Neni 61.3 — Buxheti komunal i miratuar duhet të jetë në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 20 të këtij ligji dhe me udhëzimet zyrtare (qarkoret) që jep Ministri.

Çka parasheh neni 20 dhe pikat tjera kyqe për situatën aktuale?

Neni 20.1, Ministria lëshon Qarkoren Buxhetore me udhëzime dhe tavanet e shpenzimeve për vitin aktual fiskal deri më 30 prill.

Neni 20.2, Komuna dorëzon Propozim-Buxhetin dhe kërkesën për Ndarjen Buxhetore te Ministria e Financave deri më 30 shtator.

Neni 20.5, Pas pranimit të propozim-buxheteve, Ministria përgatit Propozim-Buxhetin e Konsoliduar dhe Propozim-Ligjin për Ndarjet Buxhetore për Qeverinë.

Neni 20.5–20.6, Pas dërgimit te Qeveria, Qeveria e përfshin buxhetin komunal në Projektligjin e Buxhetit të Shtetit, i cili shkon për miratim te Kuvendi.

Neni 62.2, Nëse komuna nuk dorëzon buxhetin, Ministria e Financave përgtit versionin zyrtar të buxhetit, i cili nuk mund të jetë më i madh se buxheti i vitit ekzistues.

Nëse Kuvendi i Kosovës shpërbëhet, Projektligji i Buxhetit kalon te Kuvendi i ri për shqyrtim dhe miratim.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 1 janar, bëhen shpenzime të përkohshme (1/12 e buxhetit të vitit të kaluar) për funksionim minimal të komunës.

Seancën e Kuvendit të Kosovës, të ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje në të cilën parashiheshin pikat për formimin e komisioneve, buxheti e marrëveshjet ndërkombëtare, partitë opozitare e bojkotuan me arsyetimin se është joligjore dhe jokushtetuese.