Arbëri

Fushatë me autobusë

autobusët

Me arsyetimin se është bllokuar buxheti nga Qeveria në detyrë, kryetari i Prishtinës ka njoftuar publikun se si Trafiku Urban nga e hëna do të ndërpresë shërbimet e transportit. Ministri në detyrë i Financave ka demantuar Ramën duke treguar se Thesari të premten ia ka alokuar komunës mjetet për dhjetorin. E ndaj këtij paralajmërimi kanë reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e ish-nënkryetari Dardan Sejdiu. Të dy kanë kthyer në kujtesë problemet që kanë gjetur në komunë pas largimit të pushtetit të LDK-së dhe vështirësitë në realizimin e marrëveshjes për blerjen e autobusëve të rinj

Paralajmërimi “kërcënues” i Trafikut Urban për ndërprerjen e shërbimit të transportit, e që për publikun e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nxitur reagime të shumta. Përveç sqarimeve të ministrit në detyrë, Hekuran Murati që hedh poshtë pretendimet e Ramës për bllokim të buxhetit nga Qeveria, idesë së ndërprerjes së transportit publik i kanë reaguar edhe ish-kryetari i komunës Shpend Ahmeti dhe ish-nënkryetari Dardan Sejdiu. 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë në konferencë për media të dielën se përfaqësuesit e “Trafikut Urban” dhe të Shoqatës së transportuesve të sektorit privat e kanë njoftuar për vendimin që kanë marrë se që nga e hëna do ta ndërpresin punën.

“Sapo përfundova një takim me përfaqësues të ‘Transportit Urban’ dhe të Shoqatës së transportueseve të sektorit privat, të cilët më njoftuan se nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Paralajmërime të njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrje të tjera, të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesat - duke cenuar kështu shërbimet esenciale të qytetarëve të kryeqytetit. Me keqardhje të thellë e them: nuk kam besuar kurrë se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore. Buxheti i kryeqytetit është përdorur si mjet në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet kanë përfunduar. Qytetarët votuan për zhvillim jo për bllokim”, ka thënë Rama. 

Ai paralajmëroi se për arsye të njëjta edhe shërbime të tjera në kryeqytet do të preken në ditët në vazhdim. 

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Hekuran Murati. 

Ministri në detyrë i Financave ka njoftuar se komunës së Prishtinës i është alokuar buxheti i dhjetorit të premten, por se pushteti nuk ka kryer asnjë pagesë atë ditë.  

“Të premten pasdite Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike. Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se ‘i kryejmë të hënën’. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bënin propagandë antiqeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën”, ka sqaruar Murati.
Sipas tij, pushteti në Prishtinë dhe LDK-ja nuk e kanë hallin te shërbimet por te mungesa e kauzave. 
“Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën. Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët e tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend. Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursenin as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, tha Murati. 

E në konferencën për media, Rama nuk ka zënë në gojë dështimin e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe refuzimin e partisë që i përket, LDK-së, që të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e vitit 2025 për tri komunat, përfshirë Prishtinën, e edhe projektligjin për buxhetin 2026. 

“Buxheti i Prishtinës është bllokuar për motive krejtësisht politike”, ka thënë Rama. 

E duke marrë shkas nga ky diskurs i Ramës ka reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka sjell në kujtesë kohën kur ai e kishte gjetur në gjendje të vështirë Trafikun Urban dhe pengesat që pushteti qendror i drejtuar nga LDK ia kishte bërë marrëveshjes për blerjen e autobusëve të rinj. 

“Nesër Prishtina s’ka transport publik. Ditë e dhimbshme. E patëm marr Trafikun Urban me 1.5 milionë borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara. Procesi na është zhagitur nga qeveria e udhëhequr nga LDK për shkak të garancionit të sovranitetit që duhej të votohej nga Kuvendi i Republikës. Edhe pse kishim siguruar 10 milionë euro kredi nga BERZH. Gjatë asaj kohe përkundër kundërshtimeve kam takuar vetëm Avdullah Hotin nja pesë herë. Kam kërkuar edhe nga shefi i grupit parlamentar të VV që t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare (asokohe VV-ja rrallë votonte propozimet e qeverisë) vetëm që të votoheshin edhe autobusët”, ka shkruar Ahmeti. 

Më shumë hollësi për historinë e blerjes së autobusëve dhe përplasjet me Qeverinë a atëhershme që drejtohej nga LDK ka sjellë ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu. 

“Në shkurt të vitit 2017, pas dy vitesh beteje me qeverinë e atëhershme dhe pas presionit të qytetarëve, Prishtina mori 51 autobusët e rinj pas 30 vjetësh pa asnjë investim në transport publik. Për ata që s’e dinë, e kam udhëheq atë transformim si nënkryetar i Prishtinës... Dhe që ta dini saktë se çfarë ka ndodhë: në vitet 2015–2017, autobusët e rinj kanë mbetur të bllokuar nëpër letra për dy vjet të plota, jo pse mungonin paratë, jo pse s’kishin dokumente, por sepse qeveria qendrore refuzonte me nënshkruar vetëm se projekti ishte i Prishtinës. E asokohe Prishtina udhëhiqej nga VV, ndërsa pushtetin qendror e kishte LDK. Çdo procedurë u zvarrit me qëllim, çdo justifikim u shpik. Ishte bllokadë politike e pastër, me një synim të vetëm, me e nënshtru qytetin që kishte votuar ndryshe. Dhe ajo bllokadë u thye vetëm kur qytetarët protestuan, firmosën peticione e dolën para derës së pushtetit. Vetëm atëherë qeveria u detyrua me u tërheq. Sot, historia po përsëritet, por me një cinizëm edhe më të madh. Nesër, Prishtina mbetet pa transport publik. Fajtori është politika që po e përdor qytetin si peng. Qeveria po e përdor krizën e transportit publik për me e kontrabandu idenë e votimit të buxhetit, edhe pse e dinë që një qeveri pa mandat nuk ka të drejtë me marrë vendime që krijojnë detyrime të reja. Është pjesë e të njëjtit skenar që e kam përshkruar javëve të fundit: krijo krizë, krijo panik, fajëso të tjerët, e pastaj përdore kaosin si arsyetim për me shty një buxhet që juridikisht nuk mund të votohet”, ka shkruar Sejdiu.

E këto që ka rrëfyer ish-nënkryetari i Prishtinës, janë quajtur të pavërteta nga ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti. 

“Dardan Sejdiu, ish-nënkryetar i Prishtinës, në postimin e sotëm lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban në Prishtinë në vitin 2017, po gënjen. Jam i sigurt se ai e di se ajo që po deklaron nuk është e vërtetë. Ai e di se problemi ka qenë te Komuna e Prishtinës, e jo te Qeveria. Ai dhe shefi i tij nuk e kryenin detyrimin ligjor përmes nxjerrjes së vendimit nga Kuvendi i Komunës, me të cilin vendim Komuna e Prishtinës garantonte pagesën e kredisë nëse NP Trafiku Urban dështon të paguajë kredinë. Sapo ky vendim u miratua në Kuvendin e Komunës, marrëveshja është proceduar në Qeveri dhe më tutje. Arsyen pse z. Sejdiu po vazhdon me këtë gënjeshtër edhe pas tetë vitesh e di vetëm ai. Atëherë, ai dhe partia e tij e bënë kauzë politike këtë çështje për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë. E kam toleruar atëherë, por jo sot. Nëse nuk kërkon falje publike, do të detyrohem ta padis për shpifje”, ka shkruar Hoti në “Facebook”. 

Hoti ua ka kujtuar Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut se si me të marrë pushtetin në Prishtinë më 2013 janë angazhuar për dërgimin e 70 dosjeve në organet e drejtësisë. 

“Asnjë lëndë nuk është konfirmuar nga organet e drejtësisë. Të gjitha janë hedhur poshtë pa përjashtim. Është dëshmuar se të gjitha këto dosje kanë qenë pjesë e agjendës politike të ulët dhe të ndyrë kundër LDK-së, Kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe meje si ministër i Financave”, ka thënë Hoti. 

Ndër vite rolet janë ndërruar mes LVV-së dhe LDK-së. LDK-ja, pa rol të madh të Mustafës e Hotit, ka kthyer pushtetin në Prishtinë më 2021 dhe po nga ky vit ka qëndruar në opozitë në nivelin qendror. Por, një gjë ka mbetur e njëjtë, mosdurimi dhe përplasjet e saja të vazhdueshëm me LVV-në, subjektin që mbush gati pesë vjet që drejton Qeverinë, pa Ahmetin e pa Sejdiun në radhët e veta.