Disa prej stacioneve të autobusëve në lagjen “Muharrem Fejza” në Prishtinë, e në të cilat qarkullojnë linjat “3” dhe “3A” të Trafikut Urban, janë pa shenja që tregojnë se lokacioni është i caktuar për pritje të automjeteve të transportit publik.
Pa shenjat dalluese, qytetarët janë ankuar se nuk kanë se si të dinë që lokacionet janë stacione autobusësh.
Dafina Hurley, e cila banon në “Muharrem Fejza”, thotë se stacionet i dinë banorët e kahershëm të lagjes porse të tjerët detyrohen t’i pyesin qytetarët e tjerë për ta kuptuar lokacionin e tyre.
“Si një njeri turist dhe jo vendas i Prishtinës, ide s’ke se ku pritet autobusi. Nuk ka kurrfarë shenje. Besoj që duhet të ngrihet kjo çështje”, ka theksuar ajo.
E Igballe Krasniqi, banore e re e lagjes, thotë se kur është vendosur për të jetuar në këtë pjesë të kryeqytetit ka pasur vështirësi për ta gjetur stacionin e autobusëve.
“Duke pyetur disa kalimtarë, kam parë persona aty grumbull, dhe i kam pyetur se ku duhet ta presim autobusin për të shkuar në qytet. Komuna duhet shumë shpej të merret me këtë çështje. Kërkesa ime është që komuna sa më shpejt t’i vendosë dhe që të orientohen qytetarët”, është shprehur ajo.
Drejtori i Drejtorisë së Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, ka thënë për KOHËN se shenjat do të vendosen së shpejti.
“Shenjat do të vendosen së shpejti, teksa është menduar që të ketë edhe pritore fizike, por për shkak të hapësirës së ngushtë do të rishqyrtohet kjo pjesë, krejt kjo si pasojë e idesë për kthim të kësaj rruge në njëkahëshe. Kërkesë të tillë kanë pasur edhe këto linjat që i cekët dhe të cilat operojnë në atë pjesë, prandaj do të realizohet në një afat optimal kohor”, ka theksuar ai.
Neni 35 i Udhëzimit Administrativ për Shenjat e Trafikut Rrugor specifikon se shenjat e lajmërimit vendosen ashtu që pjesëmarrëseve në trafik t’u japin paralajmërime paraprake, e në rast se një objekt apo terren “nuk gjendet në rrugën në të cilën është vendosur shenja, atëherë është e nevojshme që lajmërimi të bëhet me tabelë plotësuese ose në vetë shenjën, ashtu që pjesëmarrësve në trafik t’iu mundësohet shpejt dhe lehtë gjetja e objektit, përkatësisht terrenit për të cilën ka të bëjë shenja”.
E. M.



