Arbëri

Komuna e Prishtinës paralajmëron masa për disa kompani të autobusëve nga Podujeva

Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të marrë masa lidhur me disa kompani të autobusëve nga Podujeva që anashkalojnë Stacionin e Autobusëve dhe ndalojnë te “Xhamia e Llapit”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se komuna mbetet e përkushtuar në respektimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva.

Në komunikatë thuhet se kjo marrëveshje nuk ka qenë njëanshme, por është arritur si rezultat i një procesi të gjerë shumëpalësh, ku kanë qenë të përfshira: Komuna e Prishtinës, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit.

“Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë. Theksojmë se veprime të tilla nuk do të lejohen. Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve”, thuhet në njoftim.

Komuna tutje ka potencuar se ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. 

“Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike. Në këtë drejtim, theksojmë se MPMH duhet të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila është dhe mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës. Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën për operim. Gjithashtu, rikujtojmë se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët, gjë që e bën edhe më të rëndësishëm respektimin e rregullave ekzistuese dhe marrëveshjes së përkohshme në fuqi”, thuhet tutje në njoftim.