Arbëri

Një ditë grevë e “Pastrimit” mbush Prishtinën bërllok

Një ditë grevë e punëtorëve të kompanisë rajonale “Pastrimi” ka bërë që Prishtina të mbushet bërllok.

Të hënën, punëtorët e “Pastrimit” protestuan në kërkim të kushteve më të mira të punës e rritje pagash. Si shenjë proteste ata nuk dolën të mbledhin mbeturinat.

Pasdite kjo kompani ka njoftuar se menxhmenti i kompanisë ka takuar sindikalistët dhe ka deklaruar se është pro rritjes së pagave, duke e arsyetuar me kontratën e re me Komunën e Prishtinës dhe me rritjen e numrit të klientëve.

Menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve të “Pastrimit” është zotuar që “muajve të ardhshëm të ketë ngritje pagash në bazë të mundësive (të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”.

Ndërkaq punëtorët kanë kërkuar që ngritja të bëhet menjëherë.

“Pastrimi” ka njoftuar se diskutimet do të vazhdojnë.

Të martën, për shkak të mospastrimit të së hënës, kjo është gjendja në kryeqytet:

{gallery}

Fotot: Alban Bujari/KOHA


“Pastrimi” kërkon rritjen e faturave të bërllokut

Zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnore Ademi ka thënë të martën në “Sot” të KTV-së se kompania ka bërë kërkesë për rritjen e faturave të mbeturinave në të gjitha komunat ku e bën largimin e tyre.

Mirëpo ajo ka shtuar se deri tani asnjë komunë nuk ka kthyer përgjigje.

“Kompania ‘Pastrimi’ ka adresuar kërkesën për rritjen e faturës së mbeturinave në të gjitha komunat ku bëhet largimi pasi kohëve të fundit jemi dëshmitarë të inflacionit në treg, rritja e derivateve që është lëndë e parë për kryerjen e largimit të mbeturinave sepse ne jemi ndërmarrje publike me vetëfinancim, që do të thotë që të ardhurat financiare i sigurojmë vetë, pastaj, kemi një mekanizëm të amortizuar. Ne kemi një numër të madh të punëtorëve dhe të gjithë janë mbajtës të familjeve të tyre. Ne si kompani e kemi parë të nevojshme të bëjmë kërkesën nëpër komuna për rritje të faturave, kemi bërë kërkesat në të gjitha komunat mirëpo që deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar ende nga asnjë komunë ku ne e bëjmë largimin e mbeturinave”, ka thënë Ademi.

Ajo ka folur edhe për grevën e punëtorëve të “Pastrimit” duke thënë se po zhvillohet me kërkesën për rritje të pagave.

Sipas saj, pritet që menaxhmenti të dalë me një vendim për këtë kërkesë gjatë ditës së martë.

Image

Komuna e Prishtinës e cilëson të papranueshme gjendjen me bërllok: Nuk do ta tolerojmë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar alarmante dhe të papranueshme gjendjen me bërllok, me të cilën u përball kryeqyteti të martën, si pasojë e grevës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”.

Të hënën, punëtorët e “Pastrimit” u futën në grevë duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës e rritje pagash.

“Të nderuar banorë të kryeqytetit, Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, ka shkruar ai në Facebook.

Rama ka kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar.

“Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, ka thënë tutje ai.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, ka thënë se kjo gjendje nuk do të tolerohet.

“Sot kemi gjendje alarmante në qytet. Punëtorët e ndërmarrjes ‘Pastirmi’ janë futur në grevë. Jemi duke u marrë intensivisht me këtë problem dhe shpejt arrijmë marrëveshje. Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar Zogaj në Facebook.