Arianita Hoti
Kamionët e kompanisë “Pastrimi”, të vendosur në rrugën përballë ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, po ua vështirësojnë punën bizneseve përreth.
Shumica e këtyre kamionëve janë të mbushur me mbeturina dhe të parkuar në anën e bizneseve, 2-3 metra larg dyerve të bizneseve që operojnë në këtë pjesë.
Arben Ruva, përfaqësues i një biznesi në këtë zonë, ka thënë se vendosja e kamionëve nga kompania “Pastrimi” u ka shkaktuar dëme të mëdha bizneseve.
"Me ngritjen e temperaturave është një kundërmim i jashtëzakonshëm, neve si biznese na ka dëmtuar diku 70%, çka është më shqetësuese, po kemi frikë se marrim ndonjë infeksion", ka thënë Ruva.
Avokatja Meliha Gashi, e cila po ashtu ka biznesin e saj në këtë rrugë, është shprehur e shqetësuar se përveç dëmeve ekonomike, problemi tashmë po prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve që frekuentojnë këtë zonë.
“Nuk e kemi më problem tashmë edhe dështimin e bizneseve sa jemi duke u frikësuar për shëndetin, pasi që është e padurueshme ky kundërmim, unë bëj apel se ky rast duhet të shkojë tek Inspektorati i Shëndetësisë dhe të dalë ta shohë këtë gjendje”, ka deklaruar avokatja Gashi.
Abedin Hajdari, banor i kësaj lagjeje, i është drejtuar Komunës për t’u ankuar lidhur me situatën e krijuar, por pa sukses.
“Qe 10 ditë a më shumë plot është mbushur. Ne kemi biseduar me fqinjët t’ia sjellim bërllokun këtu. Ai është zot i shtëpisë, por nuk mundet të bëjë çka do. Është punëtor e merr rrogën e kryetarit, por është shërbëtor. Nuk është mbret që sa ditë mos me marrë masa. Turp i turpit është”, ka thënë Hajdari.
Ekologia Egzona Shala-Kadiu ka alarmuar se me këtë situatë shëndeti i qytetarëve është vënë në rrezik.
“Nga ky grumbullim i mbeturinave në mjedis ekzistojnë shanset e shumta për ndonjë infeksion duke i marrë parasysh edhe temperaturat e larta që po arrihen”, ka thënë ajo.
Të martën, temperatura në Prishtinë ishte rreth 30 gradë celsius.
Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se nuk është në kompetencën e tyre që t’i largojnë grevistët.
E drejtuesit e Sindikatës së kompanisë “Pastrimi” kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga greva pa u plotësuar kërkesat e tyre.
Punonjësit e “Pastrimit” tash e dy javë gati po grevojnë në oborrin e Komunës me kërkesën për shlyerje të borxhit. Sipas kompanisë “Pastrimi”, Komuna ia ka borxh 2.7 milionë euro, gjë që është mohuar nga zyrtarët komunalë.
Grevistët kanë shtruar edhe kërkesa të tjera për Komunën, e një ndër to është edhe ndalimi i operatorëve privatë në grumbullimin e mbeturinave