Në ditët e nxehta, Prishtina përballet edhe me situatë të rënduar me mbeturinat. Kontejnerë të stërmbushur janë parë të martën në disa lagje të kryeqytetit, ndërsa banorët janë ankuar se mbeturinat nuk janë grumbulluar me ditë të tëra
Pamje me kontejnerë të mbushur e grumbuj mbeturinash pranë tyre kanë qenë të shumta në lagje të Prishtinës, të martën.
Në rrugën “Hamdi Gashi”, në Velani, banorët kanë thënë se është java e dytë që mbeturinat nuk janë grumbulluar plotësisht.
Emrullah Ahmeti, i cili banon në këtë lagje, është shprehur i shqetësuar për situatën e krijuar.
“I kam mbushur thasët dhe i kam dërguar te kontejnerët e mëdhenj, sepse këtu vinte erë dhe nuk mund të rrinim. Vera është, nxehtësia është e madhe, era përhapet gjithandej. Po i shoh edhe rrugët e tjera që janë kështu. Nuk e di çfarë janë duke bërë. Unë rregullisht paguaj për mbeturinat", ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, banorët janë ankuar edhe në komunë, por pa rezultat.
Edhe
Banorët e Fushë-Kosovës në hall nga mbeturinat, vonesat arsyetohen me fluksin e shtuar të konsumit
"I kemi thirrur. Na kanë thënë se do të intervenojnë, por ajo që ka kaluar nuk kthehet më. Duhet të presim edhe një javë, por u bënë dy javë dhe ende nuk i kanë marrë. Ne i larguam vetë, sepse u bënë shumë. Këtu jetojnë shumë familje dhe të gjitha janë në të njëjtën gjendje", ka thënë ai.
Kontejnerë të mbushur me mbeturina, gjatë së martës, KOHA ka parë edhe në Breg të Diellit, Tauk Bahçe e në lagje të tjera.
Në kompaninë “Pastrimi”, që është përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave, janë arsyetuar për vonesat.
“Vonesat e krijuara në grumbullimin e mbeturinave në disa rrugë, përfshirë edhe rrugën ‘Hamdi Gashi’ në Velani, lidhen me rritjen e konsiderueshme të sasisë së mbeturinave në të gjithë qytetin, si dhe me vështirësitë teknike të përkohshme në një pjese të flotës së automjeteve”, tha kompania rajonale "Pastrimi".
Sipas kompanisë ekipet ndodhen në terren me tri ndërrime për të përballuar fluksin e shtuar të punës. "Pastrimi" ka theksuar se intensiteti i lartë i operimit ka bërë që këta kamionë të pësojnë defekte teknike, të cilat, janë duke u sanuar.
Edhe
Banorët kërkojnë nga Komuna e Prishtinës qytet pa mbeturina
KOHA ka dërguar pyetje edhe te drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, por gjatë së martës nuk ka marrë përgjigje.
Me problemin e mbeturinave janë duke u përballur edhe komuna të tjera të rajonit të Prishtinës, përfshirë Podujevën, Drenasin e Fushë-Kosovën, në të cilat operon po ashtu kompania “Pastrimi”.