Arbëri

“Pastrimi” në grevë, Prishtina mbulohet nga bërlloku

Berlloku Prishtine

Kryeqyteti është vërshuar nga mbeturinat, të cilat prej dy ditësh nuk janë grumbulluar nga punonjësit e kompanisë rajonale “Pastrimi”. Ata kanë hyrë në grevë të hënën dhe thanë se nuk do ta ndërprenë atë, pa u përmbushur kërkesa për rritje të pagave. E, në kompani thanë se, që kërkesa të përmbushet, duhen shtrenjtuar faturat. Qytetarët paguajnë Komunën e Prishtinës për mbeturinat. Kryetari Përparim Rama u ka kërkuar falje qytetarëve

Rrugët, trotuaret dhe rrugicat e Prishtinës janë vërshuar nga bërlloku.

E, në vendet ku ka kontejnerë, ata mezi duken nga mbeturinat që prej dy ditësh nuk janë larguar nga kompania “Pastrimi”, punëtorët e së cilës që nga e hëna kanë hyrë në grevë, me kërkesën për rritje pagash.

Qytetarët thanë se kjo situatë është e papranueshme.

“Kjo është katastrofë, tmerr i zotit, kjo të ndodhë. Nuk po e di arsyen”, ka thënë një qytetar. “Shikoni se në çfarë gjendje jetojmë ne, shikoni ku jetojmë ne, shikojeni më së pari rrugët, shikojeni bërllokun... Do të thotë që këtu është katastrofë”, ka shtuar një qytetar tjetër i intervistuar.

Por, punëtorët e kompanisë “Pastrimi” thonë se nuk do ta heqin bërllokun, për sa kohë nuk u rriten pagat.

“Arsyeja e grevës është se pagat janë të vogla. Sindikata na njoftoi që e kanë arritur një marrëveshje, mirëpo ne nuk e kemi ndërmend t’ia fillojmë punës pa e pasur dokumentin në dorë. Sepse jemi ngopur me fjalë”, ka thënë një punëtor i “Pastrimit”.

E për ta bërë të mundur plotësimin e kërkesave të punëtorëve, në kompaninë “Pastrimi” thonë se duhet të rritet çmimi i faturës së mbledhjes së mbeturinave për qytetarët nga 4.7 euro në 6.5 euro.

“Kërkesa është e domosdoshme të bëhet për rritjen e faturës së mbeturinave, pasi ne kemi një numër të madh të punëtorëve dhe të gjithë janë mbajtës të familjeve, sigurisht ata kërkojnë edhe rritje të pagave”, ka thënë Arbnora Ademi, zëdhënëse e kompanisë “Pastrimi”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se autoritetet komunale janë të angazhuara për të gjetur një zgjidhje dhe ka kërkuar falje nga qytetarët për shqetësimin e krijuar.

“Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, ka shkruar Rama në Facebook të martën.

Tash e sa vjet, Komuna e Prishtinës mbledh borxhin për mbeturinat nga qytetarët, ndërkohë ajo e paguan ndërmarrjen “Pastrimi” për mbledhjen e tyre.

Situatë e njëjtë është edhe në komunat e rajonit të Prishtinës, në të cilat përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave është kompania “Pastrimi”.

Për këtë të martën ka pasur shumë reagime. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e ka krahasuar Prishtinën me qytetin italian Palermo, kur ai “udhëhiqej” nga bandat kriminale Cosa Nostra dhe Ndregheta.

“Në Prishtinë, ‘qytet metropolitan’, qe dy ditë kompania për grumbullim të plehrave është në grevë dhe kryeqyteti, që edhe ashtu pastërtinë e kishte ‘thembër të Akilit’, u shndërrua në një kazan kundërmues me rrezik të përhapjes së ndonjë epidemie”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Reagoi edhe partia më e madhe opozitare në këtë komunë, Vetëvendosje.

"Lagjet tona janë mbushur me mbeturina. Trotuaret, rrugicat e parqet, veçse kanë filluar të kundërmojnë. Prishtina kurrë nuk ka qenë me keq në këtë pikë. Duke e ditur rrezikun që shkakton ky fenomen në përhapjen e viruseve e sëmundjeve të ndryshme, në shtimin e numrit të qenve endacakë, e në shumë aspekte të tjera, duhet reagim urgjent i Komunës", ka thënë aktivisti i VV-së, Denis Krasniqi.