LAJMET E MBRËMJES

“Pastrimi” kërkon nga Komuna t’ia kthejë paratë që i mori nga qytetarët

Pas muaj përplasjesh mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Gjykata Supreme ka dhënë epilog – qytetarët duhet t’i kryejnë pagesat te kompania. Por, vendimi nuk i ka dhënë fund krizës. Punëtorët e ndërmarrjes, që tash e 14 ditë janë në grevë para Komunës, thonë se do të qëndrojnë aty deri në plotësimin e të gjitha kushteve

Rregullorja e miratuar në Asamblenë Komunale të Prishtinës, në dhjetor të vitit të shkuar për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, mbetet në fuqi dhe faturat për këtë shërbim duhet të paguhen te KRM “Pastrimi”.

Gjykata Supreme ka refuzuar të mërkurën kërkesë-padinë e Komunës së Prishtinës për shfuqizimin e kësaj rregulloreje, me kërkesën që faturimin ta bëjë vetë.

Ky aktvendim, sipas Petrit Reçicës, drejtor i ndërmarrjes publike “Pastrimi”, është zgjidhja që pritej.

“Ky ka qenë një aktgjykim që i ka dhënë zgjidhje dhe epilog çdo mëdyshjeje që ka ekzistuar deri më tani, me theks të veçantë në komunë, sepse qytetarët kanë qenë të keqinformuar nga Komuna e Prishtinës, mirëpo thashë, me këtë vendim gjithçka ka marrë epilog”, ka thënë Reçica.

Me gjithë vendimin e Asamblesë, që faturimin ta bëjë “Pastrimi”, udhëheqësit e Prishtinës, në disa raste, i kanë ftuar qytetarët që këtë ta bëjnë në Komunë.

Reçica ka thënë se deri në prill, mbi 21 mijë qytetarë i kanë kryer pagesat në Komunë dhe ka kërkuar që këto para t’i kthehen kompanisë. Po ashtu, është shprehur se qytetarët që e kanë bërë këtë nuk do të dëmtohen.

“Mbi bazën e një informate zyrtare që e kemi marrë nga drejtoria, sektori i mbeturinave në DSHPT Prishtina në fillim të muajit prill, del diku mbi 21 mijë klientë kanë bërë pagesa, por për me qartësu këtë gjë për opinionin, ne si ndërmarrje kemi me marrë masa dhe hapa të nevojshëm, që asnjë qytetar të mos dëmtohet dhe mos ta kenë gajle, sepse edhe ata që kanë paguar më shumë se sa është dashur kemi me i lanë si avancë parapagim dhe në fund të fundit kemi me u barazu”, ka thënë ai.

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se ende nuk e kanë marrë aktvendimin e gjykatës, por se do ta respektojnë atë.

“Komuna e Prishtinës ende nuk e ka pranuar zyrtarisht aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për rastin me KRM “Pastrimi”, por gjithsesi të njëjtin do ta respektojë në tërësi, sipas obligimeve që dalin nga kjo vendimmarrje e gjykatës”, thuhet në një përgjigje nga Komuna.

E, pas aktgjykimit të Supremes punonjësit e “Pastrimit” kanë larguar kamionët që ishin parkuar tash e dy javë para objektit të Komunës. Por, greva e tyre do të vazhdojë.

Sindikata e “Pastrimit” ka shtruar disa kërkesa e kryesoret janë shlyerja e borxhit nga Komuna në vlerë 2.7 milionë euro për kryerjen e shërbimeve në pesë muajt e parë të vitit dhe ndalimin e operimit të privatëve.

“Të kthehen të gjitha mjetet financiare të inkasuara në mënyrë të paligjshme deri më tani nga Komuna e Prishtinës, në afatin sa më të shpejtë që ne të fillojmë me mbledhjen e mbeturinave. Të bëhet një dalje publike në media nga autoritetet përkatëse të Komunës, të bëhet thirrje se faturimi dhe pagesat duhet të kryhen ekskluzivisht përmes KRM ‘Pastrimi’. Të largohen plotësisht operatorët privatë nga operimi i mbledhjes së mbeturinave dhe të fillojë zbatimi i plotë i rregullores në fuqi”, ka kërkuar Ardian Krasniqi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të ndërmarrjes publike “Pastrimi”.

Komuna e Prishtinës në vazhdimësi ka mohuar se i ka borxh “Pastrimit”.