Është shënuar të premten edhe dështimi i 31-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Në sallë u paraqitën 80 deputetët, e në votim për formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin, morën pjesë 47 syresh. E, para dhe pas seancës, përfaqësues të partive politike i shpalosën qëndrimet rreth propozimit të LDK-së për Qeveri të Unitetit, e që nuk u është përcjellë zyrtarisht asnjërit prej tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës është mjaftuar me prezantimin në një konferencë shtypi të enjten, të agjendës 15-pikëshe për Qeverinë e Unitetit Kombëtar, e atë nuk ua ka përcjellë zyrtarisht partive të tjera politike.
Megjithëqë plani e synon bashkimin e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në një qeveri të përkohshme, deputetë të LDK-së, Armend Zemaj e Ekrem Hyseni, thanë se nuk është parë i nevojshëm dërgimi i këtij plani te kolegët nga partitë e tjera.
“Nuk kemi nevojë që ta dërgojmë në mënyrë zyrtare, sepse janë tema publike, ashtu siç janë të shkruara, janë edhe të analizuara...”, ka thënë Zemaj.
“Deri sot, nga dje, kjo është vetë forma se si prezantohet, është ftesë për parti politike, që të reflektojnë dhe të dalim nga kjo krizë”, ka shtuar deputeti Hyseni.
Se këtë plan nuk e kanë pranuar zyrtarisht nga LDK-ja e kanë thënë deputetë të LVV-së, PDK-së dhe ata të AAK-së.
Artan Abrashi, deputeti i Vetëvendosjes, e ka hedhur poshtë planin tek ka thënë se agjenda e propozuar nga LDK-ja përmban “vështirësi të patejkalueshme logjike”.
“Si mund të pres z. Abdixhiku që ne, si LVV, mund të pajtohemi për një gjë kaq të madhe, për 15 gjëra kaq të mëdha, e ndërkohë që nuk po kemi pajtueshmëri edhe për senin ma të vogël që është votimi i një komisioni për votim të fshehtë. Kjo është një absurditet i llojit të vet”, është shprehur Abrashi.
Qëndrim kundër planit shprehën që më herët edhe në PDK.
Në prezantimin e agjendës për Qeveri Uniteti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pati thënë se duhet pranuar që asnjë prej taborëve politikë nuk ka vota për formim të institucioneve.
Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e mori përsipër sigurimin e tyre, tek e sfidoi LDK-në për ta mbështetur.
“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota të LDK-së, unë i bëj tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju, edhe unë, edhe secili, këtu ka deputetë të Kosovës, pa Listën Serbe, që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin”, u shpreh Krasniqi.
Derisa në AAK e vlerësuan angazhimin i LDK-së, në Nisma thanë që e presin prezantimin zyrtar të planit.
“Gjithmonë duhet me vlerësu tendencën për me zhblloku situatën çfarë e kemi edhe mendoj që është një iniciativë e mirë. Unë ma shumë kisha thanë që me reflektu edhe partia e parë me ja dhënë një drejtim sa më shpejt kësaj situate”, ka thënë deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
“Atë që e kemi parë në media. Nuk kemi pas një dërgim kështu zyrtar dhe po pres natyrisht me na e prezantu kryetari i LDK-së”, ka thënë Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.
Qëndrimet rreth agjendës 15-pikëshe të LDK-së, deputetët i shpalosën para dhe pas dështimit të përpjekjes së 31-të për konstituimin e Kuvendit. Në vazhdimin e së premtes, në sallë munguan 40 deputetë, e nga 80 të pranishmit, 47 morën pjesë në votimin rreth komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Vazhdimi i radhës i seancës konstituive u caktua për të dielën, në orën 11:00.