Arbëri

Deputetët dështojnë sërish ta konstituojnë Kuvendin

Kuvendi-13 qershor

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar) - Të premten janë bërë 31 herë që deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit janë mbledhur në seancë konstituive, por nuk kanë arritur që atë ta përmbyllnin me sukses.

Për të 23-tën herë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vazhduar me rendin e ditës të cilin e ka përcaktuar vetë, me formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Si në të gjithë herët paraprake, përfaqësues të partive që deri në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Të premten në sallë kanë qenë 80 deputetë, për kanë votuat 47, kundër asnjë dhe asnjë nuk ka abstenuar. 

Vazhdimi i radhës është caktuar të mbahet më 15 qershor në orën 11:00. 


Abrashi: Plani 15 pikësh i LDK-së nuk është serioz

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, ka folur rreth planit 15 pikësh për qeveri të unitetit të cilin e ka prezantuar të enjten kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

“Si mund të presë Abdixhiku që ne si LVV të pajtohemi për 15 gjëra kaq të mëdha e në ndërkohë nuk po kemi pajtueshmëri për një gjë të vogël sië është komisioni për votim të fshehtë p[ër zgjedhjen e kryeparmanerati”, është shprehur Abrashi.

“Nuk e kuptojmë ne arsyen e propozimit të një qeverie të unitetit. Për njohuritë e tona propozimet e tilla bëhen kur ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme e rrëzik të madh. Konsideroj që ai plan nuk është serioz”, ka shtuar Abrashi. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi - Foto: Driton Paçarada

Krasniqi: E thjeshtë 19 vota të LDK-së, unë i bëj të tjerat dhe bëhemi 61

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se formimi i shumicës parlamentare që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit të Kosovës është shumë i thjeshtë. 

Sipas tij duhen vetëm 19 votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka theksuar se për të tjerat kujdeset vetë. 

VIDEO:

“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota të LDK-së unë i bëj tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju, edhe unë, edhe secili, këtu ka deputetë të Kosovës, pa Listën Serbe, që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin”, tha Krasniqi, pas dështimit të 31-të radhazi për të konstituuar Kuvendin.

Sipas Krasniqit, përgjegjësia që Kuvendi të dalë nga bllokada që ka paralizuar procesin institucional qëndron te deputetët e LDK-së.

“Jemi të gatshëm që me 19 votat e LDK-së të formojmë shumicën. Kosova ka nevojë për stabilitet, që institucionet të funksionojnë dhe vendimmarrja të kthehet në normalitet”, theksoi ai./EO


Hyseni: LDK e vetmja parti me propozim për dalje nga kriza

Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, pas dështimit të 31-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se LDK-ja e sheh me shqetësim situatën e krijuar. 

Ai ka thënë se partia e tij është e vetmja që ka propozim për dalje nga kriza. 

“Ajo çka pamë sot vazhdim i skenarit me rezultat të njëjtë. Ishin vetëm 47 deputetë për, andaj kemi një kuvend jofunksional dhe një qeveri pa legjitimet. Si LDK e shohim me shqetësim dhe për këtë arsye e kemi bërë prezantimin tonë dhe besojmë që është e mirë për daljen nga kriza. Është e vetmja parti me propozim”, deklaroi Hyseni./EO

Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni - Foto: Driton Paçarada

Sot edhe një përpjekje për konstituim të Kuvendit

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen edhe një herë në tentim për t’i dhënë fund seancës konsitutive të nisur më 15 prill.

Ky është vazhdimi i 31-të dhe pritet të nisë në orën 11:00.

Të mërkurën kur ka dështuar për herë të fundit të bëhet konstituimi i Kuvendit, për të 22-tën herë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vazhduar me rendin e ditës të cilin e ka përcaktuar vetë, me formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Si në të gjithë herët paraprake, përfaqësues të partive që deri në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Pas dështimit taborët politikë kanë hedhur përgjegjësinë tek njëri-tjetri derisa janë refuzuar mes vete për bashkëpunime politike, të cilat do ta nxirrnin Kuvendin nga bllokada.